
Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Afganistanin mbrëmjen e së dielës është rritur ndjeshëm.
Ministria e Brendshme e Talibanëve konfirmon se më shumë se 800 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 2,800 të tjerë janë plagosur.
Tërmeti, me magnitudë 6.0, goditi provincën verilindore Kunar pranë kufirit me Pakistanin rreth orës 23:47 me orën lokale. Sipas Qendrës Gjermane për Gjeoshkencë, epiqendra u regjistrua në një thellësi prej 14 kilometrash dhe u pasua nga disa pasgoditje të forta, përfshirë një tërmet 5.2 ballë.
Zonat më të goditura janë ato malore, ku banesat prej balte e guri janë shembur plotësisht, duke rrafshuar disa fshatra të tërë. Pamjet nga vendngjarja tregojnë helikopterë që transportojnë të plagosurit dhe banorë që ndihmojnë ekipet e shpëtimit për të nxjerrë trupat nga rrënojat.
Zëdhënësi i qeverisë së Talibanëve, Zabihullah Mujahid, deklaroi se ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje dhe grupe ndihme janë nisur nga Kabuli dhe provincat fqinje. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej, pasi shumë zona janë ende të paarritshme.
Afganistani është një nga vendet më të rrezikuara nga tërmetet për shkak të pozicionit të tij në vargun malor Hindu Kush. Kujtojmë se në tetor 2023, një tërmet 6.3 ballë shkaktoi mijëra viktima dhe u cilësua si fatkeqësia natyrore më e rëndë e viteve të fundit në vend.
Top Channel