
Tottenham Hotspur ka arritur një marrëveshje huazimi për një sezon me sulmuesin e Paris Saint-Germain, Randal Kolo Muani.
26-vjeçari francez ka qenë i lidhur me Juventusin prej muajsh, megjithatë është skuadra londineze ajo që ka siguruar shërbimet e tij në ditën e fundit të merkatos, pasi ka arritur marrëveshje personale me lojtarin.
Kolo Muani kaloi sezonin e fundit në huazim te Juventusi, ku realizoi 8 gola në 16 ndeshje të Serie A. Ai u bashkua me PSG-në në shtator të vitit 2023 dhe që atëherë ka fituar dy tituj të Ligue 1 me kampionët francezë.
Ish-sulmuesi i Nantes dhe Eintracht Frankfurt ka gjithashtu 31 paraqitje me kombëtaren e Francës, për të cilën ka shënuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022 kundër Marokut, ndërsa luajti edhe në finalen dramatike ndaj Argjentinës, i cili humbi dhe rastin flagrant në minutën e fundit të shtesës.
Kolo Muani bëhet përforcimi i katërt i madh i Tottenham gjatë kësaj vere, pas afrimeve të Mohammed Kudus, Joao Palhinha dhe Xavi Simons. Së bashku me dyshen e krahëve Kudus dhe Simons, ai pritet të formojë një repart sulmues të ri për “Spurs”, të cilët këtë sezon rikthehen në Champions League.
Top Channel