14 filma artistikë në 40 vite karrierë/ Ja veprat e Dhimitër Anagnostit, me “Gjoleka, djali i Abazit” rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali

01/09/2025 09:30

Regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti, i cili humbi jetën sot në moshën 89-vjeçare realizoi 14 filma artistikë në 40 vite karrierë në kinematografinë shqiptare.

Ai gjithashtu realizoi edhe 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.

Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.

Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.

Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.

Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i cili rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Filmat më të njohur nga Dhimitër Anagnosti:

* Gjoleka, djali i Abazit (2006)
* Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
* Përrallë nga e kaluara (1987)
* Gurët e shtëpisë sime (1985)
* Kujtime nga Gjirokastra (1983)
* Vëllezër dhe shokë (1982)
* Në shtëpinë tonë (1979)
* Monumenti (1977)
* Lulëkuqet mbi mure (1976)
* Kur hiqen maskat (1975)
* Cuca e maleve (1974)
* Përjetësi (1974)
* Motive nga dita e diel (1973)
* Malet me blerim mbuluar (1971)
* Parafabrikatet (1970)
* Plagë të vjetra (1968)
* Duel i heshtur (1967)
* Komisari i dritës (1966)
* Njeriu kurrë nuk vdes (1961).

Top Channel