
Një burim palestinez ka deklaruar për kanalet Al Arabiya dhe Al Hadath se Abu Obeida, zëdhënësi i njohur i Brigadave Qassam – krahu ushtarak i Hamasit – është vrarë gjatë një sulmi ajror izraelit.
Sipas raportimeve, Izraeli ka shënjestruar një banesë ku qëndronte zëdhënësi i Qassam, dhe si pasojë e bombardimeve, janë vrarë të gjithë personat që ndodheshin brenda godinës.
Nga ana tjetër, situata në terren mbetet e tensionuar edhe në aspektin diplomatik. Ministri izraelit i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, deklaroi për Channel 12 se një marrëveshje e përkohshme armëpushimi për lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura në Gaza “nuk është në axhendë”.
“Ekziston një vendim i qartë nga Shteti i Izraelit dhe, sipas mendimit tim, ai do të artikulohet më qartë në ditët në vijim: vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, u shpreh Zohar, pak para mbledhjes së kabinetit qeveritar të planifikuar për të dielën.
Top Channel