
Kina e Presidentit Xi Jinping po merr rolin e mikpritësit për disa nga figurat më të fuqishme dhe më përçarëse të globit, nga autokratë dhe populistë, te liderë të demokracive të mëdha, në një samit dy-ditor që synon të vendosë Pekinin si qendër alternative ndaj institucioneve perëndimore.
Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), që nis këtë fundjavë në qytetin port të Tianjin-it, do të mbledhë liderë nga Kina, Rusia, India, Irani, Pakistani, dhe vende të tjera të Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme.
Autoritetet kineze e kanë cilësuar këtë si samitin më të madh të SCO-së deri më sot, një skenë perfekte për Xi-n që të paraqesë Kinën si një fuqi e qëndrueshme, ndërkohë që SHBA-të nën Presidentin Donald Trump po përballen me aleanca të lëkundura dhe një luftë tregtare globale.
Putini, Modi dhe Kim Jong Un në skenë kineze
Pjesëmarrja e Presidentit rus Vladimir Putin në këtë samit vjen vetëm dy javë pas takimit të tij me Trump në Alaskë dhe mes një vale kritikash ndërkombëtare për vazhdimin e luftës në Ukrainë. Në një intervistë për agjencinë shtetërore kineze Xinhua, Putin e cilësoi partneritetin me Kinën si një “forcë stabilizuese” për botën dhe theksoi vizionin e përbashkët për një “rend botëror të drejtë dhe multipolar”.
Ndërkohë, prania e Kryeministrit indian Narendra Modi i jep peshë të veçantë samitit. Modi mungoi në samitin e vitit të kaluar në Kazakistan, por këtë herë vjen në një moment tensionesh në rritje mes Indisë dhe SHBA-ve, ndërkohë që marrëdhëniet me Kinën janë duke u përmirësuar lehtë – një zhvillim që mund të minojë përpjekjet amerikane për ta përdorur Indinë si kundërpeshë ndaj Pekinit.
Në samit pritet të marrin pjesë edhe liderë të vendeve si Koreja e Veriut, Serbia, Sllovakia, si dhe disa nga vendet e Gjirit Persik dhe Azisë Juglindore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjithashtu pritet të jetë i pranishëm.
Kina si “arkitekte” e rendit të ri euroaziatik
Sipas ekspertëve, qëllimi i Xi është i qartë: të tregojë se Kina është e vetmja fuqi në gjendje të ulë në një tryezë rivalë dhe aleatë, demokratë dhe autokratë, dhe të menaxhojë ekuilibrat e rinj të fuqisë në Euroazi.
“Pekini po dërgon sinjalin se është i pazëvendësueshëm në ndërtimin e rendit rajonal,” thotë Rabia Akhtar nga Universiteti i Lahores.
Kjo përpjekje për ta shfaqur Kinën si faktor kyç vjen në një kohë kur SHBA, nën drejtimin e Presidentit Trump, po ndjek një linjë agresive në politikën e jashtme dhe ekonomike, duke sfiduar aleancat tradicionale dhe duke ndjekur një kurs të ashpër proteksionist.
SCO – një organizatë që sfidon Perëndimin?
E krijuar në vitin 2001 si një grup për bashkëpunim rajonal mbi sigurinë, SCO ka zgjeruar ndjeshëm qëllimet dhe anëtarët e saj. Me hyrjen e Iranit në 2023 dhe të Bjellorusisë këtë vit, organizata shihet gjithnjë e më shumë si një kundërpeshë ndaj ndikimit perëndimor.
Megjithatë, kritikët thonë se mungesa e një qëllimi të përbashkët dhe tensionet mes vetë anëtarëve – si India dhe Pakistani, e bëjnë SCO-n më shumë një platformë simbolike sesa efektive.
Derisa samiti i Tianjin-it zhvillohet, të gjithë sytë do të jenë nga fjalimi i Xi Jinping dhe nëse ai do të shfrytëzojë këtë moment për të paraqitur një vizion të qartë për një rend të ri ndërkombëtar – ku Kina jo vetëm merr pjesë, por udhëheq.
Top Channel