“Të paktën 13 persona u vranë” dhe “dhjetëra të tjerë u plagosën” në një sulm masiv të nisur nga Rusia kundër Kievit gjatë natës, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Një tjetër sulm masiv ndaj qyteteve tona. Edhe më shumë vrasje”, shkroi Zelensky në Telegram, duke akuzuar Rusinë se “ka zgjedhur raketat balistike nga tryeza e negociatave”. “Po zgjedh të vazhdojë vrasjet në vend që t’i japë fund luftës”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Zelensky theksoi se Ukraina pret “reagimin” e të gjithë botës, kryesisht vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Ai i bëri thirrje konkretisht Kinës, një aleate e Moskës, dhe Hungarisë, një shtet anëtar i BE-së me lidhje të ngushta me Rusinë, që të mbajnë një qëndrim të qartë.

Më herët, Ministri i Brendshëm ukrainas Ihor Klimenko kishte thënë se katër persona kishin vdekur, përfshirë dy fëmijë, dhe shtoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdonin.

Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, 38 persona u plagosën në sulmin rus, 30 prej të cilëve janë në spital.

Gazetarët e AFP-së dëgjuan shpërthime të shumta e të forta, panë një raketë që u rrëzua dhe mbeturinat që ranë në tokë.

Komanda ushtarake e Kievit tha se sulmi u krye me dronë dhe raketa – balistike, kruz dhe hipersonike – dhe goditi objektiva në më shumë se 20 vende në kryeqytet.

Disa ndërtesa banimi u dëmtuan, përfshirë një ndërtesë pesëkatëshe që u shemb, duke i zënë banorët nën rrënoja, tha i njëjti burim. Një kopsht fëmijësh u dëmtua, ndërsa dhjetëra automjete u shkatërruan dhe një qendër tregtare në lagjen qendrore të Kievit u godit.

“Këtu është gjithçka që duhet të dini rreth shtetit terrorist, rreth (Presidentit rus Vladimir) Putin dhe ‘dëshirës’ së tyre për paqe”, komentoi në Telegram Andriy Yermak, shefi i stafit të Zelensky-t.

Top Channel