Shpërthejnë kritikat pas vendimit të linjës “Southwest Airlines”, ndryshon politikën për pasagjerët mbipeshë: Duhet të paguajnë dy bileta!

28/08/2025 10:30

Kompania ajrore amerikane Southwest Airlines ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në politikën e saj për pasagjerët me mbipeshë, duke shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe nga grupet e udhëtarëve.

Deri më tani, udhëtarët që nuk mund të uleshin rehat mes mbështetëseve të një vendi, kishin mundësinë të kërkonin një vend të dytë falas në aeroport ose të blinin një të tillë paraprakisht dhe të kërkonin rimbursim pas fluturimit.

Por duke filluar nga 27 janari 2026, kjo politikë ndryshon plotësisht:

-Pasagjerët duhet të rezervojnë dhe të paguajnë paraprakisht për vendin shtesë

-Rimbursimi nuk do të garantohet më automatikisht, por do të jepet vetëm nëse fluturimi ka pasur vende të lira dhe bileta është rezervuar në të njëjtën klasë. Kërkesa për rimbursim duhet të bëhet brenda 90 ditëve nga data e fluturimit.

“Klientët që nuk kanë hapësirën e nevojshme në vendin e tyre do të duhet të blejnë një vend shtesë dhe të paguajnë tarifat përkatëse”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Reagime të ashpra nga komuniteti i udhëtarëve me mbipeshë

Ky vendim ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim nga pasagjerët që preken drejtpërdrejt. Jason Vaughn, agjent udhëtimesh dhe themelues i faqes “Fat Travel Tested”, tha se politika e mëparshme e Southwest krijonte kushte më të mira për të gjithë:

Mendoj se ky ndryshim do ta bëjë përvojën e fluturimit më të keqe për të gjithë,” deklaroi ai.

Southwest bëhet kështu kompania e parë ajrore në SHBA që vendos detyrimin për blerjen e një vendi të dytë, duke nxitur një debat të fortë për barazinë, përfshirjen dhe të drejtat e pasagjerëve.

Top Channel