“Shkodra përballë të kaluarës”, Simpoziumi shkencor që bëri bashkë kreun e Kuvendit, Autoritetin e Dosjeve dhe BE-në

28/08/2025 15:50

Në Shkodër, qytetin ku dhjetëra të rinj e të reja u vranë nga regjimi komunist, në tentativë për të kaluar kufirin, u zhvillua një simpozium shkencor.

“Shkodra përballë së kaluarës” bëri bashkë ambasadorë, politikanë të majtë e të djathtë, ish të përndjekur politikë, klerin fetar dhe studiues.

“Ne të gjithë e dimë se përballja me të shkuarën nuk është e lehtë, por është thelbësore. Shumë prej atyre që kërkuan lirinë, humbën jetën pranë kufirit këtu afër. Dhe është gjë e mirë që sot Shkodra po bëhet një vend kujtese. Ne do të vazhdojmë ta japim këtë mbështetje, por përballja me të shkuarën kërkon vullnet politik, kërkon ligje, kërkon burime dhe bashkëpunim aktiv nga të gjitha institucionet. Nuk mund të lejojmë që njerëzit që vuajtën, të ndërrojnë jetë pa marrë drejtësinë që u takon. Dhe në fund, Elisa, prania jote këtu është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse mendoj se Parlamenti është institucioni që duhet të sigurojë që këto pritshmëri të përmbushen”, u shpreh Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Për drejtuesen e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, puna për zbulimin e varreve po vijon, por është e vështirë sepse regjimi i ka fshehur qëllimisht.

Aktiviteti ishte një homazh për qindra shqiptarë që humbën jetën në kufi gjatë periudhës 1944–1991, teksa tentuan arratisjen për të fituar lirinë.

 

 

Top Channel