
Ndërsa në gjithë vendin vijon heqja e ndërtimeve pa leje që kanë zënë hapësirat publike, kryeministri Rama ka reaguar kundër gjykatësve që kanë dhënë vendime kundër kësaj nisme.
Duke e shoqëruar me foton e një ndërtimi pa leje në zonë publike në Tiranë kryeministri shënjestron një tjetër gjykatës që ka dhënë vendime siç thotë ai kundër interesit publik.
Rama shkruan shkruan se ‘gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën shtrihet një dyqan ku bëhet tregti në kurriz të komunitetit’.
“Gjykatësi Ligoraq nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe me siguri as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit”, shkruan Rama.
Më tej kreu i qeverisës shton se gjykatësi Ligoraq ‘i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor’.
“Post Scriptum. Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare.
Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve”, e mbyll reagimin Rama.
Top Channel