Korrupsion në radhët e IMT-së Tiranë/ Arrestohen dy inspektorë, në kërkim dy të tjerë! U bënin presion bizneseve për t’u marrë para

27/08/2025 18:30

Dy punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë u vunë në pranga gjatë një operacioni që po zhvillohet nga SPAK dhe Policia e Shtetit.

Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, sikurse mëson gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat.

Dyshohet se inspektorët u bënin presion biznesmenëve për t’u marrë para. Kanë qenë pikërisht bizneset që kanë denoncuar rastet, duke bërë që Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Policia e Shtetit të nisin një operacion të gjerë.

Top Channel meson se disa biznese në kryeqytet janë përballur me presion nga inspektorët e IMT-së, të cilët i detyronin të paguanin shuma të ndryshme për të mos i ndëshkuar.

Përballë faktit që duhej të paguanin shuma të konsiderueshme për inspektorë që në krah nuk kishin ligjin, por ryshfetin, ata iu drejtuan SPAK-ut me një denoncim. Hetimet provuan pretendimin e bizneseve dhe çuan në prangosjen e të dyshuarve.

Top Channel