
Të paguash me kartë është kthyer tashmë në një trend gjithnjë e në rritje në Shqipëri.
Për blerje në supermarket e dyqane ushqimore, farmaci, hotele, bare e restorante, individët po i përdorin më shumë paranë digjitale për të kryer pagesat e nevojshme.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pagesat në terminalet POS kanë shënuar një rritje me 42% në gjysmën e parë të vitit, duke arritur në 12.5 milionë pagesa me kartë, ndërsa vlera arrin deri në 48.3 mld lekë.
Tendencën në rritje ekspertët e ekonomisë e lidhin edhe me zhvillimin e turizmit dhe pagesat nga të huajt.
Klodian Muço, ekspert ekonomie: “Sa më shumë të rriten pagesat me kartë, aq më shumë formalizohet ekonomia. Është një tregues i edukimit financiar të qytetarëve. Aspekti i parë, çdo biznes e shikon me prioritet vendosjen e POS-ëve; i dyti ka të bëjë me formalizimin e ekonomisë; i treti janë edhe turistët, për arsye të kulturës dhe evolucionit që ka pësuar paraja elektronike, jo në nivel europian dhe jo vetëm, dhe e kanë më komode të paguajnë me kartë.”
Jo vetëm POS-et dhe bankomatet janë shtuar ndjeshëm edhe në qytete të tjera të vendit, duke u dhënë më shumë mundësi qytetarëve të përdorin kartat e tyre. Por problem, sipas ekspertëve, mbeten edhe komisionet e larta, një arsye që i pengon qytetarët ndjeshëm të përdorin kartat.
Klodian Muço, ekspert ekonomie: “Kanë kosto relativisht të larta, që shkojnë nga 400-800 lekë dhe llogari bankare të huaja deri në 1,200 lekë. Duket si një fenomen tipik shqiptar; në vendet e tjera të BE nuk ka të tilla kosto transaksionesh.”
Marrja e një mase të tillë është parashikuar edhe në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, teksa citohet se një grup pune mes Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave do të ngrihet për të ulur komisionet e përdorimit të terminaleve POS, me synim nxitjen e pagesave elektronike.
Top Channel