Piktura holandeze e vjedhur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet në Argjentinë, reklamimi i shtëpisë për ta shitur nxori në pah grabitjen

26/08/2025 20:42

Më shumë se 80 vjet pasi u vodh nga nazistët nga një tregtar i artit hebre në Amsterdam, një portret i një mjeshtri italian është zbuluar në faqen e internetit të një agjencie pasurish në Argjentinë, që reklamonte një shtëpi për shitje.

Bëhet fjalë për veprën “Portreti i një gruaje” (Contessa Colleoni) nga piktori barok Giuseppe Ghislandi, i njohur edhe si Fra’ Galgario. Piktura shfaqet e varur mbi një divan në dhomën e ndenjes së shtëpisë, në një qytet bregdetar pranë Buenos Aires.

Gazeta holandeze AD tha se pas një hetimi të gjatë, arriti të gjurmojë veprën e artit. Ky portret është pjesë e një databaze të arteve të humbura dhe sipas ministrisë holandeze të kulturës është ende i pazbuluar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Portreti i përkiste Jacques Goudstikker, një prej tregtarëve më të njohur të artit në Holandë, i cili iku nga vendi në maj 1940 për të shpëtuar nga nazistët, por vdiq tragjikisht gjatë udhëtimit drejt një zone të sigurt. Pas luftës, shumë vepra u gjetën dhe iu kthyen trashëgimtarëve, por ky portret nuk u identifikua kurrë.

Dokumentet e kohës tregojnë se piktura ka qenë në pronësi të Friedrich Kadgien, një zyrtar nazist, i cili më pas u zhvendos në Brazil dhe Argjentinë, ku ndërtoi familjen dhe biznesin e tij. Kadgien vdiq në vitin 1978.

Historia mori kthesë kur gazeta AD pa foton e portretit në faqen e një agjencie imobiliare që po shiste shtëpinë e Kadgien në Argjentinë. Ekspertët e artit thonë se piktura është origjinali i humbur, por për konfirmim të plotë duhet ekzaminimi direkt i veprës.

Kjo zbulim është një hap i rëndësishëm në historinë e artit të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel