
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, do të ishte “rruga më efektive përpara”, pavarësisht përpjekjeve të ngecura për t’i dhënë fund luftës dhe sulmeve të vazhdueshme me dronë nga të dyja palët.
Zelensky, duke folur të dielën në një ceremoni për të shënuar Ditën e Pavarësisë së vendit, u zotua se do “ta shtyjë Rusinë drejt paqes”.
Gjenerali më i lartë i Kievit tha të dielën se trupat ukrainase kanë rimarrë tri fshatra në rajonin e Donjeckut. Njëkohësisht, Ukraina nisi sulme me dronë ndaj Rusisë, duke shkaktuar një zjarr në një termocentral bërthamor që u shua shpejt të dielën.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha të hënën në mëngjes se njësitë e mbrojtjes ajrore ruse shkatërruan dy dronë që po fluturonin drejt kryeqytetit rus.
Ai tha se shërbimet e emergjencës po punonin në vendin ku ranë mbetjet e dronëve.
Një sulm rus mbrëmjen e së dielës la disa vendbanime në rajonin e Sumit pa energji elektrike, tha kreu i administratës ushtarake rajonale. Trupat ruse sulmuan gjithashtu infrastrukturën civile në rajonin e Sumit duke përdorur bomba të telekomanduara dhe dronë sulmues, shtoi zyrtari. Nuk u raportua për viktima.
Sulmet me dronë dhe betejat tokësore kanë vazhduar pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një takim mes Ukrainës dhe Rusisë. Nuk ka pasur asnjë përparim në këtë drejtim prej se Trump e priti Putinin për një takim në Alaskë, më 15 gusht.
Zelensky tha se një “format bisedimesh mes liderëve është rruga më efektive përpara”, por ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ngriti një pengesë të re për bisedime direkte gjatë një interviste me transmetuesin amerikan NBC.
“Reagimi ndaj takimit në Anchorage [të Alaskës], mbledhja në Uashington e këtyre përfaqësuesve evropianë dhe ajo që bënë ata pas Uashingtonit tregon se ata nuk duan paqe”, tha Lavrov për NBC.
Ai shtoi se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë garantuesit e sigurisë së Ukrainës.
Kievi dhe aleatët e tjerë deri nuk e kanë pranuar idenë që Moska të jetë mes garantuesve të sigurisë për një marrëveshje për paqe, dhe Zelensky ka hedhur poshtë mundësinë që Pekini të luajë ndonjë rol.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, gjatë një vizite në Kiev të dielën, tha se nuk është “në dorën e Rusisë mënyra se si garantohet e ardhmja e sovranitetit, pavarësisë dhe lirisë së Ukrainës”.
Carney shtoi gjithashtu se nuk do ta përjashtonte praninë e trupave kanadeze në Ukrainë si pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë, hollësitë e të cilave Kievi dhe aleatët e tij evropianë ende po i shqyrtojnë.
“Ne e dimë se Putinit nuk mund t’i besohet kurrë”, tha Carney në fjalimin e tij në Sheshin Shën Sofia të Kievit. “Ne e dimë se paqja dhe siguria e vërtetë do të kërkojnë garanci sigurie për Ukrainën”.
Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht vendosjen e trupave perëndimore në Ukrainë.
Nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, foli gjithashtu me transmetuesin amerikan NBC të dielën, ku tha se Rusia ka bërë “lëshime të rëndësishme” për t’i dhënë fund konfliktit.
“Ata kanë treguar vullnet për të qenë fleksibil në disa prej kërkesave të tyre kryesore. Ata kanë folur për atë që do të ishte e nevojshme për të përfunduar luftën”, tha Vance në intervistë.
Vance tha se Moska ka pranuar “që Ukraina do të ketë integritet territorial pas luftës. Ata e kanë pranuar se nuk do të jenë në gjendje të instalojnë një regjim kukull në Kiev”.
Në fjalimin e tij në ceremoninë për përvjetorin e pavarësisë së Ukrainës, Zelensky tha se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa pajtohen se Ukraina “ende nuk ka fituar plotësisht, por sigurisht nuk do të humbasë. Ukraina ka siguruar pavarësinë e saj”,
“Ukraina nuk është viktimë; është luftëtare”, përfundoi ai. /rel
Top Channel