Foto/ Petale trëndafilash dhe tullumbace në formë zemre! Yamal i jep fund thashethemeve, konfirmon lidhjen me këngëtaren 7 vite më të madhe

25/08/2025 16:25

Ylli 18-vjeçar i Barcelonës, Lamine Yamal, duket se ka bërë publike lidhjen e tij me këngëtaren argjentinase Nicki Nicole, duke e konfirmuar përmes një postimi në Instagram në ditën e ditëlindjes së saj.

Me anë të një “Story” në Instagram, ata shfaqen krah për krah në një tavolinë romantike të mbushur me petale trëndafili, tortë të zbukuruar me fjongo dhe tullumbace në formë zemre. Yamal, i veshur me këmishë të zezë elegante dhe bizhuteri floriri, shihet duke e përqafuar Nicole, teksa dora e tij ndodhet në një pjesë intime të këngëtares.

Ky është sinjali më i qartë publik deri tani se thashethemet kanë marrë fund dhe ata janë zyrtarisht çift. Diferenca e moshës mes tyre është 7 vite – Nicole lindi më 25 gusht 2000, ndërsa Yamal më 13 korrik 2007.

Romanca e tyre ka qenë në qendër të vëmendjes prej javësh. Pas një puthjeje të kapur nga kamerat në një klub buzë detit në korrik, Nicole u pa edhe në ndeshjen e Trofeut Joan Gamper, e veshur me fanellën nr.10 të Yamal, pranë familjarëve të futbollistit në zonën VIP.

Mediat spanjolle dhe ndërkombëtare raportuan gjithashtu për një arratisje të përbashkët në Monte-Karlo, ku dyshja u filmua duke shëtitur dhe më pas u fotografua në terminalin privat të Barcelonës pas një qëndrimi dyditor në rivierë.

Postimi i fundit në Instagram për ditëlindjen e këngëtares konsiderohet si konfirmimi përfundimtar i lidhjes së tyre, në një periudhë ku Yamal po shkëlqen edhe në fushën e lojës, duke qenë protagonist në fitoret e fundit të Barcelonës.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel