Mbledh fiq gjatë verës për të blerë librat dhe rrobat e shkollës, 14-vjeçarja nga Berati me ëndrrën për të bërë prindërit e lumtur

24/08/2025 12:22

Puna është nder, ky është mendimi i 14 vjeçares nga fshati Vojnik i Beratit, e cila kohën e saj nuk e shpenzon duke qëndruar në telefon, por duke punuar.

Unë jam Esmeralda Zulali, jam 14 vjeçe dhe në çdo sezon veror merrem me punët e bujqësisë duke mbledhur fiq për të hequr shpenzime e mia shkollore”, shprehet adoleshentja.

Por kjo nuk është puna e saj e parë, sepse Esmeralda e vogël  ka mbledhur fiq që në moshën 12 vjeçare.  Ndryshe nga moshataret e saj, vera për të nuk është sezon pushimi, por lodhjeje, sepse të punosh në bujqësi nuk është aspak e lehtë. Dita e saj nis herët në mëngjes, në orën 6 ajo duhet në ngrihet nga krevati për të shkuar në parcelë, me shpresën se kësaj herë do të mbledhë më tepër fiq.

Në shtator Esmeralda e ndal punën, dhe më paratë e grumbulluara prej punës së ajo blen librat, rrobat dhe siguron transportin. E kjo nuk është pak për familjen e 14 vjeçare.

Punën nuk e kam turp, por pasion prej dy vitesh bëj këtë punë dhe arrij që me të ardhurat të blej librat, veshjet, si dhe të paguaj autobusin që shkoj në shkollë, gjithashtu dhe shpenzimet e tjera.”, shton 14-vjeçarja.

Vajza që mbledh fiq, ëndrrat i ka përtej kësaj parcele si një nxënëse me rezultate të larta dëshira është që në fund të rrugëtimit arsimor të bëhet një mjeke, dhe kjo jo vetëm për të përmbushur qëllimet e saj, por edhe të prindërve.

Sapo kam përfunduar ciklin 9 vjeçar me një mesatare 9 dhe në të ardhmen uroj që të bëhem dikush që të bëj të lumtur ata të shtëpisë sime.”, përfundon Esmeralda Zulali.

Top Channel