Festa e Ishmit! Organizimi në Kala shndërrohet në një mozaik të historisë dhe mikpritjes, promovohen prodhimet vendase

24/08/2025 12:27

Në Kalanë e Ishmit, mbrëmjen e kaluar, bashkia e Durrësit organizoi “Festën e Ishmit” që mblodhi banorë, emigrantë dhe vizitorë, duke i dhënë jetë trashëgimisë kulturore të zonës, e njohur si vendlindja e piktorit Ibrahim Kodra.

Programi artistik me këngë, recitime dhe valle popullore, së bashku me stenda të prodhimeve tradicionale, artizanatit dhe krijimtarisë së autorëve vendas, e shndërruan mbrëmjen në një mozaik të historisë, kulturës dhe mikpritjes.

Rakia e gjyshit prodhohet nga 3 varietete rrushi të krahinës së Ishmit. Ky është prodhim autokton vendas. Gjyshi për herë të parë ka prodhuar raki, para se të bënte verë”, shprehet Besim Kërtusha, Prodhues.

Në stenda ishte dhe Sokol Proja, ish-punonjës i policisë pyjore dhe më pas emigrant, i cili sot ka ndërtuar sipërmarrjen e tij në fushën e bimëve medicinale dhe kozmetikës.

Njohja e këtij sektori me ktheu. Eksportojmë në vende të ndryshme të Evropës dhe kemi këtu ne Ishëm një fermë rreth 27 ha me një grup fermerësh ku kemi kultivuar rigon, rozmarinë, kalendul e bimë të tjera.” Sokol Proja, sipërmarrës

Banorët e Ishmit shprehen krenarë për vlerat e krahinës së tyre dhe trashëgiminë që përcjellin brez pas brezi.

Jo vetëm Gjiri i Lalzit, por edhe Kalaja e Ishmit mbeten destinacione turistike të rëndësishme për këtë zonë dhe për Durrësin. “Festa e Ishmit” dëshmoi se kjo krahinë është e gatshme të presë vizitorë vendas e të huaj, duke ruajtur e përcjellë traditën, përmes mirë përdorimit të burimeve të saj.

Top Channel