Biden i dha leje, Trump i ndalon! Raport i Wall Street Journal: SHBA bllokon Ukrainën të përdorë raketat për të sulmuar Rusinë

24/08/2025 08:25

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë bllokuar që nga pranvera e vonë përdorimin nga Ukraina të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për goditje brenda territorit rus, si pjesë e një përpjekjeje të administratës Trump për të nxitur Vladimir Putin të hyjë në bisedime paqeje, raportoi të shtunën Wall Street Journal.

Sipas burimit, Pentagoni ka ndaluar përdorimin e sistemit raketor Atacms nga Ukraina. Dy zyrtarë amerikanë thanë se të paktën një herë Kievi kishte kërkuar përdorimin e këtyre raketave ndaj një objektivi, por ishte refuzuar në bazë të një “mekanizmi rishikimi” të zhvilluar nga Elbridge Colby, nënsekretar i Pentagonit për politikën, shkruan WSJ.

Ky mekanizëm përcakton si mund të përdoren armët amerikane me rreze të gjatë ose ato të dhëna nga aleatët evropianë që mbështeten në inteligjencë dhe përbërës amerikanë.

Ky proces rishikimi zbatohet gjithashtu edhe për raketat britanike Storm Shadow, pasi varen nga të dhënat e shënjestrimit të SHBA-së, sipas zyrtarëve amerikanë dhe britanikë.

Vendimin final për përdorimin e raketave Atacms, të cilat kanë një rreze prej afro 305 km, e merr sekretari amerikan i mbrojtjes Pete Hegseth.

Administrata Biden kishte lejuar më parë Ukrainën t’i përdorte këto raketa kundër objektivave në Rusi në nëntor, pas përfshirjes së trupave koreano-veriore në luftë. Megjithatë, para inaugurimit në janar, Trump deklaroi për Time Magazine se lejimi i përdorimit të raketave me rreze të gjatë ishte një gabim.

“Unë nuk jam aspak dakord me dërgimin e raketave qindra milje brenda Rusisë. Pse po e bëjmë këtë? Vetëm po e përshkallëzojmë luftën dhe po e bëjmë më të keqe. Nuk duhej të ishte lejuar,” u shpreh ai.

Ende mbetet e paqartë nëse ky mekanizëm i ri përbën një ndryshim të plotë politikash, por ai vjen në një kohë kur SHBA po ushtron kontroll gjithnjë e më të madh mbi furnizimin e armëve për Ukrainën, për shkak edhe të shterimit të rezervave të veta.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Trump “ka qenë shumë i qartë se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë” dhe se “nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin ushtarak në frontin Rusi-Ukrainë për momentin”.

Megjithatë, javën e kaluar, në përpjekjet për të hapur rrugën e bisedimeve mes Putinit dhe Zelenskyt, Trump pranoi se Ukraina nuk mund ta mposhtë Rusinë pa qenë në gjendje të luajë “në sulm”.

“Është shumë e vështirë, në mos e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin e pushtuesit. Është si një skuadër sportive me mbrojtje të shkëlqyer, por që nuk lejohet të sulmojë. Nuk ka shanse për të fituar,” shkroi ai të enjten.

Ndërkohë, muajin e kaluar SHBA ra dakord të furnizojë Ukrainën me sisteme të reja armatimi vetëm nëse pagesa mbulohet nga vendet evropiane. Në të njëjtën kohë, administrata ka miratuar shitjen e 3,350 raketave ajrore Erams me rreze 400 km, megjithëse Trump ka theksuar se SHBA “nuk është duke kërkuar” t’i japë Kievit armë me rreze të gjatë që mund të godasin Moskën.

Top Channel