“Freski dhe ajër i pastër”/ Fluks në Voskopojë, atraksioni natyror mbetet destinacioni i preferuar i turistëve në juglindje

23/08/2025 13:00

Voskopoja edhe këtë vit është një ndër destinacionet më të preferuara për pushuesit vendas dhe të huaj, të cilët kërkojnë qetësinë dhe freskinë e natyrës.

Mes kurorës së gjelbër dhe ajrit të pastër qëndron fshati me rrugë e shtëpi të gurta, kisha shekullore e shumë tradita që lenë gjurmë tek ata që e shohin për herë të parë.

“Vijmë nga Parisi. Udhëtuam me tren dhe qëndruam disa ditë në Torino dhe më pas shkuam në Bari. Prej aty udhëtuam me traget shkuam në Tiranë, Shkodër, vizituam Komanin dhe tani erdhëm në Voskopojë për të qëndruar dy ditë. Erdhëm këtu sepse na pëlqen arti bizantin dhe donim të vizitonim kishat ndaj erdhëm. Sapo arritëm këtu por gjatë rrugës pamë disa kuaj dhe përshtypja e parë është që këtu ndjehesh e relaksuar, është shumë pastër. Gjithashtu na pëlqeu shumë Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë dhe shpresojmë të shohim sa më shumë nga kishat që janë këtu”, tha një vizitore nga Franca.

“Unë jam nga Italia dhe kam ardhur këtu me disa miq. Ishim në Vlorë, në disa qytete të tjera dhe më pas vendosëm të vizitojmë Voskopojën. Fshati është shumë i bukur, ka “ajër të kondicionuar” në mënyrë natyrore dhe jam i kënaqur që ndodhem këtu. Gjithashtu për të njohur historinë e këtij vendi që është në fazë rritje të jashtëzakonshme për mendimin tim. Shoh ndërtime me orientim modern që mendoj se është drejtimi i duhur për tu përmirësuar dhe ecur përpara”, u shpreh një vizitor italian.

Por përveç turistëve vendas apo të huaj që e frekuentojnë në fundjavë, fshatit në verë i shtohen banorët pasi janë të shumtë ata të cilët zgjedhin të pushojnë gjatë në Voskopojë

Fshati Voskopojë ndodhet vetëm 20 km larg Korçës dhe është një prej alternativave më të preferuara ku ndërthuret turizmi natyror dhe kulturor.

 

 

Top Channel