
Një vajzë e porsalindur u mor nga nëna e saj vetëm një orë pas lindjes në Danimarkë, pasi autoritetet lokale vunë në zbatim një test “përshtatshmërie prindërore”, pavarësisht ndalimit të përdorimit të tij për qytetarët me prejardhje nga Groenlanda.
Rasti ka shkaktuar tashmë zemërim ndërkombëtar dhe ndërhyrje politike. Siç raporton Guardian, vetëm një orë pas lindjes së saj, autoritetet daneze ia morën foshnjën nënës së saj 18-vjeçare pasi vendosën një test “përshtatshmërie prindërore” – pavarësisht një ligji të ri që ndalon përdorimin e vlerësimeve psikometrike kontraverse për njerëzit me prejardhje nga Groenlanda.
Ivana Nikoline Brunlund, e lindur në Nuuk nga prindër nga Groenlanda dhe ish-anëtare e ekipit kombëtar të hendbollit të Groenlandës, lindi vajzën e saj, Avia-Luna, më 11 gusht në Spitalin Hvidovre, pranë Kopenhagenit, ku jeton me familjen e saj. Një orë më vonë, autoritetet e hoqën foshnjën dhe e vendosën atë në kujdestari.
Nëna 18-vjeçare thotë se e ka parë vajzën e saj vetëm një herë që atëherë, për një orë, pa u lejuar ta mbajë në krahë ose t’i ndërrojë pelenën. Testet e “përshtatshmërisë prindërore” (FKU) u ndaluan për njerëzit me prejardhje nga Groenlanda në fillim të këtij viti, pas vitesh kritikash nga aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut, të cilët argumentuan me sukses se ato ishin metoda raciste që ishin të papërshtatshme nga ana kulturore për njerëzit me prejardhje nga Groenlanda.
Ligji hyri në fuqi në maj, duke ngritur pyetje se pse Brunlund iu nënshtrua një procedure të tillë. Ministrja daneze e Çështjeve Sociale, Sophie Hestorp Andersen, shprehu shqetësim për rastin dhe kërkoi një shpjegim nga komuna e Høje-Taastrup, e cila mori vendimin. “Testet e standardizuara nuk duhet të përdoren në rastet që përfshijnë familje me origjinë nga Groenlanda. Ligji është i qartë”, tha ajo. Rasti ka shkaktuar protesta në Groenlandë, dhe protesta të planifikuara në Nuuk, Kopenhagen, Reykjavik dhe Belfast. Autoritetet i thanë Brunlund se foshnja e saj ishte marrë për shkak të traumës që pësoi në duart e njerkut të saj, i cili po vuan dënimin me burg për abuzim seksual. Pavarësisht se lindi në Groenlandë nga prindër me origjinë nga Groenlanda, komuna thuhet se i tha asaj se ajo “nuk ishte mjaftueshëm nga Groenlanda” për t’u përfshirë në ligjin e ri.
Në fakt, Ivana Nikoline Brunlund lindi në Nuuk nga prindër grënlandezë, por u adoptua që fëmijë nga dy grënlandezë të tjerë. Përpara se të fillonte shkollën, familja u zhvendos në Danimarkë. Ajo thotë se është shpallur e papërshtatshme si prind nga një psikolog, i cili beson se do ta ekspozonte vajzën e saj ndaj neglizhencës, për shkak të traumës dhe stresit post-traumatik si rezultat i abuzimit të pësuar nga njerku i saj.
Njerku u dënua për abuzim në vitin 2022 dhe aktualisht është në burg. Autoritetet lokale filluan testimet në prill, edhe pse ndalimi ishte shpallur në janar. Procesi u përfundua në qershor, kur ligji kishte hyrë në fuqi. Nëna e re u informua tre javë para lindjes se fëmija i saj do të hiqej nga lindja.
Bashkia nuk pranoi të komentonte, duke cituar konfidencialitetin mjekësor, por pranoi gabimet në procedurat e saj. Brunlund e përshkroi përvojën e saj të hidhur për gazetën Guardian: “Nuk doja të lindja sepse e dija çfarë do të ndodhte. E mbajta foshnjën pranë meje ndërsa ajo ishte brenda meje, ishte e vetmja mënyrë që mund të ndihesha afër saj. Ishte një kohë shumë e vështirë dhe e frikshme.”
Vizita e saj e parë me vajzën e saj në fillim të kësaj jave u ndërpre sepse zyrtarët e konsideruan foshnjën të lodhur dhe të mbistimuluar. “Zemra mu thye kur e ndaluan vizitën. Qava në makinë ndërsa po largoheshim, ishte aq shpejt, sa nuk doja ta lija. Nuk di çfarë të bëja pa të”, tha ajo, me lot në sy.
Brunlund lejohet ta shohë fëmijën e saj vetëm dy herë në muaj, për dy orë çdo herë, nën mbikëqyrje. Apeli i saj do të dëgjohet më 16 shtator. Njerka e saj, Gitte, e cila është gjysmë grënlandeze, komentoi: “Është sikur të të thonë se nuk mund të kesh traumë nëse do të jesh nënë.”
Aktivistët po i bëjnë thirrje qeverisë daneze të ndërmarrë veprime të menjëhershme. Dida Pipaluk Jensen, bashkëorganizatore e një demonstrate në Reykjavik jashtë ambasadës daneze më 18 shtator, e përshkroi mënyrën se si po përdoren testet te grënlandezët si “tmerruese”.
Tashmë ka pasur një protestë për rastin e një nëne tjetër grënlandeze, Keira Alexandra Kronvold, vajza e së cilës u mor me forcë dy orë pas lindjes së saj, duke shkaktuar një protestë ndërkombëtare. Në rastin e Brunlund, Jensen tha: “Një nga arsyet që dha bashkia për largimin e fëmijës ishte trauma nga e kaluara e Ivanës. Është gabim ta ndëshkosh atë për diçka për të cilën ajo nuk është përgjegjëse.”
Laila Bertelsen, themeluese e organizatës Foreningen MAPI, e cila mbështet prindërit inuitë në Danimarkë, i shkroi një letër ministrit, duke kërkuar ndërhyrje: “Këtu po përballemi me një dështim si për fëmijën ashtu edhe për nënën, gjë që kërkon veprime të menjëhershme politike.” Andersen, e cila do të vizitojë Groenlandën në shtator, theksoi se çdo komunë që po shqyrton largimin e një fëmije me origjinë nga Groenlanda ose përdorimin e testeve FKU duhet të kontaktojë një njësi të posaçme, të quajtur VISO.
Drejtoresha e fëmijëve dhe të rinjve të komunës së Hoje-Taastrup, Anja Krogh Mangezi, pranoi problemet: “Ne e kishim kontaktuar VISO-n në janar, por na u desh t’i kontaktonim përsëri, pasi baza ligjore u përfundua tre muaj më vonë, në prill. Tani jemi në dialog të ngushtë me VISO-n për të marrë udhëzimet që u nevojiten. Shqetësimi ynë i vetëm është që të përmbushen kërkesat ligjore dhe të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme për familjen.”
Top Channel