
Pas pak minutash, nëpërmjet DigitAlb, të gjithë tifozët futbolldashës do të kenë mundësinë të ndjekin ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Konferencës mes Jagiellonias dhe Dinamos.
Një ndeshje e vështirë për shumë faktorë, edhe pse në vendin tonë kjo skuadër nuk njihet shumë. Por një ndër futbollistët më të mirë të Kombëtares dikur dhe sot të Superligës, Bekim Balaj, 11 vite më parë ishte pjesë e këtij ekipi dhe kush më mirë se sa ai mund të na tregojë diçka më tepër.
Në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, kapiteni i Vllaznisë tregon “recetën” që Dinamo duhet të përdorë për të mposhtur ekipin polak.
“Me një trajner të ri, kjo është një skuadër që e ndërton lojën nga mbrapa dhe nuk luan me topa të gjatë apo me dyluftime fizike, por që sigurisht presingun e kanë një ndër armët e tyre më të forta, provojnë të luajnë futboll. Dinamo është afër tashmë, duhet të tregohen të kujdesshëm, të mundohen t’i ulin ritmin dhe entuziazmin që vjen nga shkallët e stadiumit. Duhet të dijnë ta menaxhojnë këtë ndeshje të parë dhe të tentojnë të kualifikohen në ndeshjen e dytë këtu”.
Më shumë se sa për sukseset sportive, kjo skuadër njihet edhe për një tifozeri të shumtë dhe të zjarrtë, sot pritet të jenë 22.000 mbështetës të Jagiellonias në stadium.
“Njihen për tifozerinë e madhe që kanë. E gjithë ajo zonë rreth Galistokut dhe deri afër Varshavës, janë tifozë të Jagoellonias. Në periudhën që kam luajtur unë, stadiumi ishte në ndërtim dhe nuk kishte përfunduar, por gjithsesi atë atmosferë e mbaj mend të zjarrtë, por me gjysmë kapaciteti”.
Mediat polake kanë pasur një interes të veçantë ndaj klubit shqiptar, çfarë donin të dinin ata më tepër për Dinamon, në intervistat që ju dhatë?
“Një ndër pyetjet që më bënë ishte se çfarë klubi është Dinamo dhe sa i rëndësishëm është në historinë e futbollit shqiptar dhe më pas për tifozët se sa tifozë kishte dhe a janë të zjarrtë. Për këtë pjesë i thashë ndoshta jam i ri dhe ende nuk e kam parë një stadium të mbushur me tifozë të Dinamos, por e di që në të shkuarën Dinamo ka pasur shumë tifozë, por që vitet e fundit, nga uljet e ngritjet që ka pasur, janë larguar një pjesë”.
Për Vllazninë kampionati fillon nesër dhe Balaj është ndër pikat e referimit të shkodranëve, kështu që e gjithë vëmendja e skuadrës dhe e tij është tek përballja me kampionët e Egnatias, por deri nesër, pas pak starton kjo ndeshje e të vetmit klub shqiptar në Europë, Dinamos, në orën 20:15, që transmetohet drejtpërdrejt në DigitAlb.
“Padyshim është e vetmja skuadër që na përfaqëson në Europë, ndërkohë që ne jemi dy ekipe rivale në kampionat, ndërsa në këtë moment në arenën ndërkombëtare të gjithë ne mbështesim Dinamon, pasi është në interesin dhe të mirën e futbollit shqiptar”, tha Balaj.
Top Channel