Analiza/ Anila Hoxha: Prapë për Byronë Kombëtare të Hetimit

21/08/2025 20:34

Nga Anila Hoxha

Shanset për ta zgjedhur drejtorin e ri të BKH brenda 31 gushtit janë zero. Sepse Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Posaçëm të Figurës dhe Pasurisë nuk ka nisur ende kontrollin e shtatë kandidatëve që do të thotë ende nuk janë përcjellë shkresat drejt shërbimit sekret dhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj, që do të japin përgjigje për figurën e garuesve.

Dhe për të kontrolluar pasuritë e tyre bazuar mbi deklaratat që pretendentët Gledis Nano, Gentian Ndoj, Elton Kërluku ,Andi Pogace, Gentian Shehu, Artur Beu, Joni Keta i kanë dorëzuar pranë ILDKPI.

Nga përfundimi i testeve (datë 28 korrik) me një komision të posaçëm të përzgjedhjes (tre prokurorë që udhëhoqën këtë gare), tashmë komisioni i dytë  duhet të kryejë vlerësimet e mëtejshme. Në përmbajtje të tij janë një gjyqtar antikorrupsion, dy prokurorë të SPAK, dhe dy hetues të BKH , njëri siç përmend  ligji vjen nga seksioni financiar dhe ai ishte Z.Elton Kërluku. Por hetuesi rezulton të ketë dhënë dorëheqjen nga komisioni i kontrollit , mbasi si një aspirant për drejtimin e BKH nuk mund të kontrolloje veten dhe 6 konkurrentët e tjerë.

Megjithatë nuk ishte kjo arsyeja se përse BKH do ta ketë shefin e ri me vonesë. I gjithë ingranazhi reagoi përgjumësh për të treguar ( mbase) se edhe nëse ngrihen institucione të reja siç u pagëzua BKH si FBI shqiptare, është e vështirë të kultivosh një mendësi të re me rregulla që nuk e tejkalojnë ligjin

Ishte reagimi i vonuar i KLP në ngërcin Hajnaj dhe beteja që ajo pati prej muajit dhjetor 2024 në një letërkëmbim të gjatë që ekspozoi  krizën e komunikimit brenda strukturës së posaçme.

Po ashtu gara u çel me vonesë, por edhe kur u mbyll zyrtarisht afati për dorëzimin e dokumenteve të të interesuarve, u shty me kohë shtesë të pajustifikuar dhe përtej protokollit.

Sikur të mos mjaftonte kjo, u tha se për shkaqe preferenciale ndaj ndonjë garuesi, një debat mes tre prokurorëve të SPAK (pjesë e komisionit të parë)  ishte mbyllur me përplasje dyersh.

Komisioni i dytë i kryesuar nga z.Eneid Nakuci përpara se të largohej me pushime mundi të mbajë vetëm një mbledhje në fund të korrikut , gjatë kohës kur shkresat nuk ishin ende gati.

Ndaj u dha  kohë  tjetër shtesë

Për drejtorin e ri që qartësisht do vonohet, dhe kjo nuk është një vonesë pesë minutëshe autobuzi, në datë 6 gusht SPAK më dha këtë përgjigje:

” Procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Pas këtij procesi, Komisioni i Përzgjedhjes përcakton kandidatin më të mirë, i cili do t’i nënshtrohet një programi trajnimi. Pas përfundimit të tij, emri kandidatit të përzgjedhur i dërgohet për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).”

Pra kur komisioni i dytë  të përfundojë kontrollin,  do ja kaloje komisionit të parë të përzgjedhjes ( 3 prokurorëve Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra) që pa i paragjykuar do  gjejnë më të mirin.

Kohë do i duhet dhe KLP të mendohet kur ti kalohet ky emër , por jo gjatë nëse të preferuarit mbeten të preferuar

Sidoqoftë. Derisa kjo të ndodhë, zgjidhjet se nga kush do te drejtohet BKH do të jenë sipas inercisë së ligjit.

E dyta, KLP e presin dy mbledhje, asnjëra për të shpallur drejtorin e ri të BKH

Njëra do jetë me rend dite : përfundimin e mandatit pesë vjeçar të znj. Hajnaj që me gjasë duhet të ndodhë brenda datës 1 shtator .

Dhe mbledhja tjetër,  në datë 15 shtator për çeljen e garës për drejtuesin  e ri të SPAK , duke qenë se z. Altin Dumani i përfundon  mandati i kryeprokurorit të posaçëm në muajin dhjetor.

Në mes të këtyre procedurave që po ndodhin paralelisht, nuk është çudi që me ikjen e Dumanit i cili nga dhjetori kthehet në prokuror të thjeshtë në SPAK, të lërë pas një drejtor BKH që ose do ketë fatin e gruas së parë  në krye të FBI shqiptare duke u anashkaluar nga SPAK. Që do të thotë edhe drejtori i ri i BKH do jetë në luftë me drejtuesin e ri të SPAK. Ose do jetë po aq i fuqishëm.

Top Channel