Qyteti i nëndheshëm në Kukës/ Kompleksi që u ndërtua për t’u mbrojtur në komunizëm, tani atraksion turistik

20/08/2025 12:17

Nën këmbët e qytetit të Kukësit, fshehur nën tokë, ndodhet një nga dëshmitë më të pazakonta të periudhës komuniste në Shqipëri: qyteti i nëndheshëm.

Ndërtuar gjatë viteve të regjimit si strehim strategjik në rast lufte, ky kompleks sot po kthehet në një atraksion turistik të veçantë për vizitorët vendas dhe të huaj.

Afrim Cenaj, një guidier i këtij destinacioni, tregon se interesimi është në rritje. Por Cenaj thekson se kompleksi ka ende nevojë për ndërhyrje.

Një grup turistësh nga Franca, që po udhëtojnë nëpër Shqipëri, ndan përshtypjet e tyre.

“Unë quhem Ève-Marie. Erdha me bashkëshortin, vajzën, vëllain, kunatën dhe nipërit e mi. Ne e gjetëm numrin e telefonit në Facebook. Është vërtet një vizitë shumë interesante që ne e këshillojmë për të gjithë vizitorët e Shqipërisë. Nuk duhet të mjaftoheni vetëm me lumenj, plazhe dhe bukuri natyrore, ky vend është një dëshmi historike unike. Për më tepër, patëm fatin të kishim një guidë të mrekullueshëm që na shpjegoi gjithçka në frëngjisht”.

“Është hera e parë që donim të zbulonim këtë vend që nuk e njihnim fare. Bëmë një udhëtim nëpër gjithë vendin, duke filluar nga jugu. Tani po ngjitemi drejt maleve në veri. Po, ishte një vizitë shumë interesante, sepse tregon se si sistemi komunist kishte ngritur projekte krejtësisht të çmendura, që shërbenin për të mashtruar disi popullatën. Ne po shkojmë drejt maleve, dhe Kukësi ishte një ndalesë në rrugën tonë. Përfituam nga rasti për të vizituar qytetin nëntokësor”.

 “Kam ardhur me familjen time, për pushime. Po shfrytëzojmë rastin të vizitojmë këtë bunker nëntokësor. Është shumë interesante. Tregon një anë tjetër të Shqipërisë që nuk e njihnim. Po, hyrja nuk është gjithmonë e lehtë dhe në disa vende duket pak e rrezikshme. Por, megjithatë, është një vizitë që ia vlen”.

Qyteti i nëndheshëm i Kukësit nuk është vetëm një rrëfim i së shkuarës. Ai është një mundësi për të rindërtuar kujtesën historike, për të zhvilluar turizmin dhe për ta vendosur Kukësin në hartën e destinacioneve kulturore më të veçanta në Ballkan.

Top Channel