Një lojtar me fat në Francë ka fituar çmimin rekord prej 250 milionë eurosh në llotarinë EuroMillions, të martën në mbrëmje – shifra më e lartë e fituar ndonjëherë në tokën franceze, sipas grupit FDJ United.

Më parë, çmimi më i madh i fituar në Francë ishte 220 milionë euro, fituar në vitin 2021 nga një biletë e blerë në Tahiti, Polinezia Franceze. Ndërkohë, një tjetër xhekpot prej 250 milionë eurosh ishte fituar më herët këtë vit nga lojtarë në Austri dhe Irlandë.

Shuma e fituar tani përfaqëson kufirin maksimal të shpërndarë nga EuroMillions. Ajo u arrit sërish pasi askush nuk i kishte gjetur pesë numrat me fat dhe dy yjet në shortin e 15 gushtit, kur çmimi ishte 234 milionë euro.

Bileta fituese kishte numrat 24, 31, 34, 41, 43 dhe yjet 6 dhe 8. Fituesi ka 60 ditë nga data e shortit për t’u paraqitur me biletën për të kërkuar shpërblimin rekord, që ndahet nga FDJ dhe partnerët e saj evropianë.

Në faqen e saj zyrtare, FDJ United thekson se, nëse fituesi nuk paraqitet brenda afatit, kjo shumë do të rinxirret deri në katër herë radhazi. Nëse ende nuk shpallet një fitues, shuma do t’i shpërndahet automatikisht pjesëmarrësve që zënë vendin e dytë në shortin e pestë.

Top Channel