Vdekja e Matthew Perry, “Mbretëresha e Ketaminës”, pranon se i ka shitur aktorit drogën që e vrau

19/08/2025 21:13

Një fajtor i ri ka dalë në dritë për vdekjen e Matthew Perry-t.

Një trafikante famëkeqe droge nga Los Angeles, e njohur me nofkën “Mbretëresha e Ketaminës”, ka pranuar se ka furnizuar me drogën që shkaktoi vdekjen e yllit të “Friends”. Jasveen Sangha, 42 vjeçe, pritet të deklarohet fajtore në gjykatë në javët në vijim.

Shtetase amerikane dhe britanike, ajo ndodhet në burg që nga gushti i vitit 2024 dhe përballet me deri në 65 vjet burg. Sangha është personi i pestë dhe i fundit i akuzuar që pranon rolin e saj në vdekjen e Perry-t, i cili kishte luftuar për dekada me varësinë nga substancat narkotike.

Aktori 54-vjeçar u gjet i vdekur në tetor 2023 në xhakuzinë e rezidencës së tij në Pacific Palisades. Një autopsi zbuloi nivele të larta të ketaminës, një anestetik i fuqishëm, çka çoi në një hetim nga Zyra e Prokurorit të Distriktit të Los Angelesit.

Sipas marrëveshjes me hetuesit, Sangha kishte furnizuar me ketaminë Erik Fleming, një ish-producent televiziv, i cili nga ana tjetër ia kishte dorëzuar atë Kenneth Iwamasa-s, asistentit personal të aktorit. Iwamasa dyshohet se i ka injektuar Perry-t të paktën tre doza vdekjeprurëse ditën e vdekjes së tij.

Fleming dhe Iwamasa tashmë e kanë pranuar fajësinë dhe janë në pritje të dënimit në nëntor. Dy mjekë të tjerë, Mark Chavez dhe Salvador Plasencia, kanë pranuar se i kanë përshkruar dhe shitur ilaçin aktorit në javët para vdekjes.

Top Channel