Takimi Putin-Zelensky-Trump, Emmanuel Macron zbulon vendin ku mund të mbahet samiti

19/08/2025 09:17

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se po punohet për një takim të rëndësishëm diplomatik mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një intervistë për transmetuesin TF1-LCI, Macron tha se formati i bisedimeve pritet të jetë i gjerë, duke përfshirë fillimisht një takim dypalësh mes dy liderëve, më pas një takim trepalësh ku do të jetë i pranishëm edhe Donald Trump, si dhe një fazë të fundit shumëpalëshe me përfaqësuesit e vendeve europiane.

Sipas Macron, samiti mund të mbahet në një vend neutral, ku opsioni më i mundshëm mbetet Gjeneva në Zvicër, edhe pse në tavolinë është edhe alternativa e Stambollit, ku më herët janë zhvilluar bisedime dypalëshe mes palëve.

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për luftën në Ukrainë. Presidenti Zelensky, në muajt e fundit, ka intensifikuar takimet me liderët europianë për të garantuar mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe financiare, por gjithashtu për të gjetur kanale diplomatike që mund të çojnë drejt uljes së tensioneve.

Përfshirja e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se “mund ta ndalë luftën shpejt pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë”, shihet si një element i ri që mund të ndryshojë dinamikat e bisedimeve.

Top Channel