Fiks Fare/ “S’ke për të kaluar sa të jem unë gjallë”, konflikti në Shkodër që nisi nga Kadastra, regjistroi rrugën si pronë private! Situata është problematike në aksin Librazhd–Pogradec, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur ndalimin e qarkullimit për mjetet me tonazh të rëndë dhe autobusët, pas përkeqësimit të rrëshqitjes së dheut në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Gjatë orëve të fundit shembja ka avancuar, duke rritur rrezikun për qarkullimin në këtë segment. Mjetet e rënda, kamionët dhe autobusët nuk do të lejohen të kalojnë në këtë zonë. Vendimi është marrë në koordinim me Policinë e Shtetit dhe do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë.
Top Channel ka siguruar pamjet e disa ditëve më parë të gërryerjes masive që ndodhi nga marrja e inerteve nga shtrati i lumit Shkumbin, pikërisht në vendin ku ka ndodhur rrëshqitja dhe shembja e njërës korsi të rrugës.
Ndërkohë, siç raporton korrespondentja e Top Channel në Elbasan Bruna Kërçyku, situata vijon e bëhet më emergjente pasi ura është çarë dhe rrezikon të bjerë.
Në njoftimin e saj zyrtar ARRSH këshillon drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe autobusëve të përdorin rrugë alternative. Por ndërkohë policia nuk propozon asnjë rrugë alternative në njoftimin e saj pasi nuk ka asnjë rrugë alternative për mjetet e rënda.
Maunet dhe autobusët që lëvizin nga pikat e kalimit kufitar të Kapshticës apo e Qafë Thanës në drejtim të portit të Durrësit nuk kanë asnjë rrugë alternative kalimi. Megjithatë rrëshqitja masive e tokës në Dragostunjë e cila ka marrë gjysmën e rrugës e rrezikon pjesën tjetër e bën të pamundur dhe të rrezikshme lëvizjen e mjeteve të rënda.
Top Channel