Diskutimet për armëpushim, Rusia sulmon gjatë natës Ukrainën, nëntë të vrarë

18/08/2025 09:28

Ukraina akuzon Rusinë për sulme me dronë gjatë natës në rajonin e Kharkivit.

Të paktën nëntë persona u vranë, mes tyre një fëmijë i vogël, bëri me dije guvernatori i rajonit lindor, Oleh Synehubov në një postim në Telegram.

Sakaq ai njoftoi se sulmi la pas të plagosur, por pa dhënë detaje për numrin e saktë.  “Numri i të plagosurve është vazhdimisht në rritje”, shkruan ai.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin u takuan pak ditë më parë në Alaska, ku diskutuan për luftën në Ukrainë. Sakaq sot pritet takimi mes Volodymyr Zelenskyn dhe Donald Trump.

Zelensky, i cili arriti në SHBA rreth orës 22:30, lëshoi një deklaratë përmes së cilës tha se ishte mirënjohës që Trumpi e kishte ftuar dhe “të gjithë duam njësoj që t’i japim fund kësaj lufte shpejt”.

Zelensky iu referua humbjes së “detyruar” të Krimesë nga Ukraina, por nuk i adresoi drejtpërdrejt deklaratat e Trumpit. “Shpresoj që fuqia jonë e përbashkët me Amerikën, me miqtë tanë evropianë, ta detyrojë Rusinë drejt një paqeje të vërtetë”.

Top Channel