Dështimi i filmit “Borëbardha”, aktorja Gal Gadot ia vë ‘fajin’ luftës në Gaza: Pas 7 tetorit, pati shumë presion mbi personat e famshëm që…

18/08/2025 11:13

Aktorja izraelite Gal Gadot ka thënë se një nga arsyet pse ribërja e filmit “Borëbardha” nuk pati sukses ishte presioni mbi të famshmit në Hollywood për të folur kundër Izraelit.

Në një intervistë për televizionin izraelit The A Talks, Gadot tha: “Kam shijuar shumë xhirimet, edhe punën me Rachel Zegler. Mendoja se filmi do të kishte sukses të madh. Por pas 7 tetorit pati shumë presion mbi të famshmit që të flisnin kundër Izraelit. Filmi u ndikua shumë nga kjo dhe nuk arriti sukses.”

Aktorja kryesore e filmit, Rachel Zegler, gjatë promovimit shkroi në rrjetin X: “Gjithmonë mos harroni, Palestinë e lirë.”

Postimi shkaktoi debat të madh. Producenti Marc Platt udhëtoi menjëherë për t’u takuar me Zegler, ndërsa djali i tij e quajti veprimin e saj “të papjekur” dhe fajësoi atë për reagimet negative ndaj filmit.

Pas këtij postimi, Gadot filloi të merrte kërcënime me vdekje dhe Disney i rriti sigurinë personale.

Filmi kishte një buxhet prej 270 milionë dollarësh, por fitoi vetëm 205 milionë në gjithë botën, duke u cilësuar si zhgënjim. Përveç kësaj, kritikat ishin kryesisht negative.

Aktori Peter Dinklage kishte paralajmëruar më herët se mënyra si filmi trajtonte figurën e xhuxhëve ishte “e gabuar”, ndërsa kritiku Peter Bradshaw nga The Guardian e quajti filmin “shumë të lodhshëm”.

Gadot, e cila ka shërbyer si instruktore në ushtrinë izraelite, është shprehur shpesh hapur në mbrojtje të Izraelit. Në vitin 2024 ajo tha: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë që në qytete të ndryshme të botës do të shihnim njerëz që nuk e dënojnë Hamasin, por e justifikojnë dhe e festojnë masakrën kundër hebrenjve.”

Top Channel