
Në fillim të vjeshtës hapet spitali i ri në QSUT “Nënë Tereza” me dy shërbime të rëndësishme: Kardiokirurgjinë dhe Kirurgjinë Vaskulare, të cilat tashmë kanë në dispozicion pesë salla për ndërhyrje kirurgjikale.
Për herë të parë në QSUT është krijuar një sallë operacioni hibride.
Prof. Dr. Altin Veshti, shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, u shpreh: “Ne në vit bëjmë 800 ndërhyrje, por tashmë synojmë të shkojmë në 1000. Këtu kryhen ndërhyrje si ato në valvulat e zemrës, aortë apo çdo problem tjetër të zemrës që kërkon ndërhyrje.”
Çdo aparaturë e re, që nga ekokardiografitë deri tek pajisjet e sallave operative, janë të fjalës së fundit të teknologjisë.
Prof. Dr. Altin Veshti shton: “Tashmë kemi pesë salla dhe jo më tre. Kanë hapësira që do t’i kishin zili të gjithë. Ndërkohë kemi edhe një sallë për fëmijët që lindin me probleme në zemër, të cilët tani e mbyllin ciklin e ndërhyrjes këtu, pasi më parë nuk mund të kryenin të gjitha procedurat në Shqipëri.” “Në sallën e reanimacionit, të vegjlit e operuar janë të ndarë nga të rriturit, ndërsa ata me infeksione kanë ‘box’-in e tyre të veçantë.”
Salla e reanimacionit ka një kapacitet prej 13 shtretërish.
Por çfarë është salla hibride e ndërhyrjeve kirurgjikale – e para dhe e vetmja në QSU?
Altin Veshti shpjegon: “Përveç ndërhyrjeve me bisturi, këtu ofrohen edhe ndërhyrje me kateter – një teknologji e avancuar që e bën sallën unike në vend.”
Top Channel