Tragjike në Maliq! 14-vjeçari vritet me thikë nga bashkëmoshatari pas sherrit në lokal, fillimisht u takuan…

14/08/2025 19:31

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Pirg të Maliqit.

I mituri 14-vjeçar është vrarë nga bashkëmoshatari i tij gjatë një sherri në një lokal. Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga thika, për pasojë ndërroi jetë në spital.

Të miturit kanë qenë duke folur fillimisht e më pas kanë nisur të debatojnë, duke vijuar më tej me përdorimin e armëve të ftohta, përkatësisht thikë.

I plagosur ka mbetur edhe autori i vrasjes, i cili ndodhet në spitalin rajonal të Korçës, aty ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve dhe mbikëqyrjen e sigurisë policore.

Ai ende nuk ka dhënë asnjë dëshmi për ngjarjen, teksa enigmë mbeten shkaqet që kanë sjellë agravimin e situatës.
Të dy të miturit nuk janë nga fshati Pirg, por nga zona afërsi të tij.

“Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve.

Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital. 14-vjeçari tjetër autori i dyshuar i ngjarjes është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë”, njofton policia.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel