
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë orëve të fundit pjesën lindore të Parkut Natyror të Munellës në Kukës, konkretisht në zonën administrative të Malziut, në vendin e quajtur Maja e Zezë.
Vatra e zjarrit ka rënë në një territor me rëndësi të veçantë ekologjike dhe natyrore, ku përhapen pyje me gështenjë, dushk dhe ah, të cilat janë përfshirë nga flakët dhe janë shkrumbuar disa hektarë të tyre.
Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thepisur, duke vështirësuar ndërhyrjen nga toka. Pavarësisht sfidave, janë angazhuar 10 punonjës të zjarrfikëses, 5 të AdZM-së (Administrata e Zonave të Mbrojtura) si dhe banorë dhe punonjës të njësisë administrative, të cilët po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Deri më tani nuk raportohet për rrezik për zonat e banuara, pasi zjarri është lokalizuar larg tyre. Dëmet në sipërfaqen pyjore janë të konsiderueshme dhe pritet një vlerësim më i saktë në vijim.
Organet lokale bëjnë thirrje për kujdes maksimal në këtë periudhë me temperatura të larta dhe thatësirë, ndërsa paralajmërojnë ndëshkime për çdo zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia.
Parku Natyror i Munellës është një nga zonat më të pasura për nga biodiversiteti dhe burimet natyrore, dhe çdo dëmtim i këtij territori përbën humbje të madhe mjedisore.
Top Channel