
Situata në Delvinë vijon të jetë kritike, ndërsa zjarri ka përfshirë zona të gjera dhe i është afruar rrezikshëm spitalit të qytetit.
Korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi raporton se policia ka evakuuar banorët e lagjeve Llakë, Mukurs dhe Xhermëhallë, ku gratë, fëmijët dhe pleqtë janë larguar nga shtëpitë, ndërsa burrat kanë mbetur për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit së bashku me zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencës.
Qyteti aktualisht është pa energji elektrike, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e situatës emergjente. Pacientët e spitalit janë strehuar për arsye sigurie në kinoteatrin e qytetit.
Dyshohet se shumë banesa mund të jenë përfshirë nga flakët, por për shkak të tymit dhe qasjes së vështirë në terren, ende nuk janë bërë evidentime të sakta të dëmeve.
Forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht për të frenuar përparimin e flakëve, ndërsa era e fortë që fryn në drejtim të qytetit po vështirëson punën e tyre dhe rrit rrezikun për banorët.
Pranë spitalit, janë marrë masa urgjente për çmontimin dhe largimin e sistemit të furnizimit me oksigjen, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë godinën. I gjithë personeli mjekësor është në gatishmëri për të mbrojtur ambientet me mjetet që kanë në dispozicion.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit për të shmangur incidente të tjera.
Top Channel