
Studimi i ri tregon se beta-HPV mund të integrohet në ADN dhe të nxisë zhvillimin e kancerit, veçanërisht tek personat me imunitet të dobësuar.
Shkencëtarët kanë arritur në një zbulim mbresëlënës që mund të ndryshojë mënyrën si e kuptojmë një nga format më të shpeshta të kancerit në botë. Një tip i zakonshëm i virusit human papilloma (HPV), i njohur si beta-HPV, mund të jetë shumë më i rrezikshëm se sa mendohej më parë. Deri më tani besohej se ky virus thjesht përkeqësonte dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga rrezatimi UV. Një studim i ri tregon se ai mund të marrë drejtpërdrejt kontrollin mbi qelizat dhe të nxisë zhvillimin e kancerit.
Këto informacione dolën nga rasti i një gruaje 34-vjeçare, e cila po luftonte me karcinomën e qelizave skuamoze (cSCC) në ballë. Pavarësisht shumë operacioneve dhe imunoterapisë, tumoret i riktheheshin vazhdimisht. Një analizë e detajuar gjenetike zbuloi një fakt tronditës: beta-HPV ishte integruar drejtpërdrejt në ADN-në e qelizave të kancerit, duke prodhuar proteina që përshpejtonin përparimin e sëmundjes. Ky është rasti i parë i konfirmuar ku beta-HPV është integruar në ADN-në qelizore dhe ka marrë pjesë aktive në ruajtjen e kancerit.
Pacientja kishte një çrregullim të rrallë imunitar të trashëguar, që pengonte qelizat T, mbrojtësit kryesorë kundër infeksioneve të sulmonin HPV-në. Edhe pse trupi i saj riparonte me sukses dëmtimet nga rrezatimi UV, imuniteti i dobët i lejoi virusit të përhapej dhe të merrte kontrollin. Për pasojë, ajo vuante edhe nga simptoma të tjera të HPV-së, si lythat në lëkurë dhe në gojë. “Kjo tregon se mund të ketë edhe persona të tjerë me formë agresive të cSCC-së, të cilët kanë defekte bazë imunitare dhe që mund të përfitojnë nga terapitë e fokusuara tek sistemi imunitar,”-theksoi Andrea Lisco, specialiste e imunologjisë në Institutin Kombëtar Amerikan për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID).
Trajtimi pati sukses të jashtëzakonshëm; jo vetëm që agresiviteti i kancerit të lëkurës u zhduk, por u zhdukën edhe të gjitha simptomat e tjera të HPV-së. Gjatë tre viteve të ndjekjes, nuk pati asnjë shenjë rikthimi të sëmundjes. “Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin e virusologëve, imunologëve, onkologëve dhe ekspertëve të transplantit, të gjithë punuan nën të njëjtin çati,”-tha Lisco. Edhe pse rrezatimi UV mbetet shkaktari kryesor i kancerit të lëkurës, ky studim tregon se në raste të rralla, viruse si beta-HPV mund të kenë rol vendimtar, veçanërisht tek individët me sistem imunitar të dobësuar.
Zbulimi thekson edhe një herë rëndësinë e qasjes së personalizuar në trajtimin e kancerit, e cila po rezulton më efikase se metodat standarde. Për më tepër, jep shpresë për përmirësimin e luftës kundër viruseve si alfa-HPV, që shkakton kancerin e qafës së mitrës, sidomos duke pasur parasysh se vaksinimi ka ulur ndjeshëm vdekshmërinë./ TAR
Top Channel