
Përgjatë mureve historike të kalasë, pranë kullës së sahatit, Qendra e Artit çeli ekspozitën “Elbasani në 100 vjet”.
Një udhëtim vizual që sjell historinë e qytetit gjatë një shekulli, duke u ndalur në momente kyçe, figura të rëndësishme dhe transformimet që Elbasani ka pësuar ndër vite. Të shumtë ishin qytetarët që ndaluan për ta vizituar nga afër.
Shumë prej tyre u shprehën me nostalgji për fotot e ekspozuara, duke vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve që rikthejnë në vëmendje historinë dhe identitetin e qytetit.
Ekspozita ngjalli interes edhe tek turistët e huaj që ndodheshin në shesh.
“Vij nga Gjermania. Po shihja këto piktura interesante. I adhuroj fotot dhe dua të shoh ndryshimin e qyteteve. Faleminderit që na jepni mundësinë të mësojmë për kulturën tuaj përmes kësaj ekspozite.”
Sipas drejtorit të Qendrës së Artit, aktivitete të tilla përcjellin një ndjesi pozitive te qytetarët, duke lajmëruar një sezon të nxehtë artistik.
I gjithë muaji gusht pritet të pasohet nga aktivitete të larmishme në Elbasan të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Top Channel