
Përditësimi i kurrikulës shkollore me përfshirjen e inteligjencën artificiale vlerësohet si një nevojë e kohës me të cilën nxënësit shqiptarë po përballen në përditshmëri sot e që duhet integruar në mësimdhënie.
Ekspertët e arsimit mbështesin planin e veprimit për pedagogjinë digjitale që do të ndihmojë zhvillimin e njohurive në shkollat publike.
“Unë gjithmonë jam pro të resë… ndaj një fenomeni që ndodh apo çfarëdo qoftë, është më mirë që nxënësit, të rinjtë të kenë informacion për të sesa t’i qasen asaj në mënyrë të fshehtë apo të pakontrolluar. Nuk mund t’i lejojmë ata të jetojnë në një gardh të mbyllur vetëm se kemi frikë që diçka mund të shkojë keq. Asgjë nuk shkon më keq sesa kur mban një informacion të bllokuar. Nëse vendoset në kurrikula e në disa norma që do të menaxhohen, besoj do të jetë produktive”, shprehet ekspertja e arsimit, Irsa Ruçi.
Përdorimi i përgjegjshëm i inteligjencës artificiale në sistemin arsimor kërkon mësues të përgatitur. Ndaj, akademikja Irsa Ruçi çmon me përparësi politikën e Ministrisë së arsimit për trajnimin e detyrueshëm për ta në mënyrë të kenë të paktën dijet bazike në teknologji.
“Kategoria e mësuesve që kërkon thjesht certifikim do të vazhdojë po njësoj. Në thelb është pozitive dhe shumë e domosdoshme. Tashmë ka të rinj që janë shumë më përpara se mësuesit që ju japin mësim. Pra është shumë e rëndësishme që mësuesit të ecin paralelisht me këto risi dhe të trajnohen”, thotë Ruçi.
Krahas përkrahjes së planit për përfshirjen e inteligjencës artificiale në shkollat shqiptare që pritet të realizohet brenda 2030, ekspertët sugjerojnë se mënyra se si duhet të zhvillohet mësimi të jetë më autentik në përputhje me realitetin e Shqipërisë.
“Ajo që mua më shqetëson dhe do doja të kishte një ndryshim, është mënyra si ne e konceptojmë këtë dije. Ne i shohim si risi që vijnë nga jashtë dhe i huazojmë. Ndërkohë që duhet parë si dije që burojnë nga gjiri i kësaj shoqërie. Të krijojmë strukturë arsimore shqiptare, qoftë edhe në fushën e inteligjencës artificiale se të rinjtë tanë dinë të prodhojnë jo thjesht të riprodhojnë. Pra, para se të lyejmë fasadën që sigurisht është e dobishme, duhet të shohim themelin”, thekson ekspertja.
Top Channel