2,230 raportime për hapësirat publike! 24 orë pas hapjes së portalit, qeveria merr njoftime për zënien e hapësirave publike

10/08/2025 12:24

Prej më shumë se një muaji në të gjithë territorin e vendin po zhvillohet një betejë me zaptuesit e hapësirave publike iniciuar dhe udhëhequr nga vetë kryeministri Edi Rama.

Paçka me se janë me mijëra metra katror rikthyer qytetarëve nga heqja e objekteve bllokuese nëpër trotuare apo brendësi të objekteve të banimit duket se ka ende shumë punë për të bërë.

Këtë e tregojnë të dhënat që vinë nga portali qeveritar “Hapësira ime Publike”.

Në më pak se 24 orë nga vënia në funksion e këtij portali janë regjistruar 2230 problematika të raportuara. Kanë marrë zgjidhje 12 prej tyre ndërsa pjesa tjetër në shqyrtim.

Për të patur një efikasitet të plotë në dëgjimin e ankesave të qytetarëve qeveria thotë se “nëse nuk keni marrë përgjigje për ankesën tuaj të parë brenda 24 orësh, plotësoni këtë formular për ndjekje të mëtejshme”.

Kjo iniciativë e re e qeverisë në përballjen me problemin e hapësirave publike të zaptuara,  i jep mundësi qytetarëve të denoncojnë duke bashkëlidhur foto dhe video për 7 problematika të ndryshme.

Duke nisur nga zënia e trotuareve, parkimet e paligjshme, ndërtime pa leje, dëme të pronës publike, ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike, zaptim të rrugëve kombëtare përfshi kantieret e ndërtimit me rrethime të pasigurta.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama publikoi këtë video ku tregohet nisja e shembjes të një pallati ndërtuar pa leje në qytetin e Vlorës.

Kryeministri paralajmëroi ndëshkim për shkelësit e ligjit, qofshin ata biznesmenë apo punonjës të shtetit.

Pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti thekson kryeministri Edi Rama, do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët, po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve.

Top Channel