Ekspozita me liqenin, shfaqen edhe kostumet popullore shqiptare në Pogradec

09/08/2025 19:57

Peizazhe plot ekspresivitet, elementë të kostumografisë dhe kompozime të kujdesshme përbëjnë ekspozitën më të fundit të piktorit Agron Polovina, e hapur në qytetin e Pogradecit.

Në 38 punime, artisti vendos në qendër pamjet piktoreske dhe detajet e qytetit liqenor, kostumet popullore shqiptare, si dhe fragmente nga realiteti i përditshëm, duke i shndërruar në mesazhe të fuqishme që arrijnë te publiku në një formë të veçantë.

Sipas artistit, Pogradeci, kostumografia popullore shqiptare dhe realiteti kanë qenë gjithmonë burime frymëzimi për krijimtarinë e tij. Këtë herë, ai i ka përmbledhur në tre cikle artistike, të cilat i prezanton për publikun në këtë ekspozitë.

Me stilin e tij të dallueshëm, që bashkon impresionizmin me frymën postbizantine Polovina krijon një realitet të ri artistik ekspresiv, të pasur me ngjyra të gjalla dhe kontraste të theksuara duke e kthyer çdo pikturë në një përjetim unik vizual.

Top Channel