
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi një ngjarje të rëndë të ndodhur në burgun 313 në Tiranë, ku një i paraburgosur humbi jetën.
Në një status në faqen e tij në Facebook, Berisha flet për një ngjarje në rrethana të dyshimta që duhet hetuar nga autoritetet.
“I bëj thirrje Komisionit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB, Komisionit Kundër Torturës pranë Këshillit të Europës të ndërmarrin një hetim të gjerë e të thelluar mbi kushtet infernale në burgjet dhe qelitë e komisariateve të narkopolicisë së Shqipërisë, sjelljet shtazore të zyrtarëve me uniformë me të burgosurit dhe të ndaluarit në këto burgje dhe qeli të vdekjes”, shkruan Berisha.
Statusi i Berishës
Qelitë e burgjeve si biruca të torturave dhe vdekjeve të narkodiktaturës!
Besnik Koçiu vdiq brenda disa ditësh në qelinë e zezë në rrethana tejet të dyshimta. Seriali i vdekjeve të burgosurve në qelitë e narkoshtetit, tipar mizor i narkoburgjeve të Ramaduros!
Të dashur miq. Viktima e radhës e terrorit psikologjik por edhe fizik ndaj qytetarëve që ushtrohet në qelitë e ferrit të narkodiktaturës është Besnik Koçiu, një i paraburgosur 57-vjeçar që ndërroi jetë më 24 korrik 2025 në rrethana krejtësisht të paqarta në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja”, vetëm tetë ditë pas futjes në paraburgim për veprën penale të plagosjes pa dashje.
Sipas mediave i plagosuri nuk kishte ngritur padi kunder te ndjerit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar sot dhe ngre pikëpyetje lidhur me rastin e Koçiut, për sa i përket trajtimit mjekësor të personave të privuar nga liria. Besnik Koçiu, informon ky Komitet, ishte pranuar në IEVP më 16 korrik dhe që në momentin e parë kishte raportuar diagnoza të rënda dhe të njohura mjekësisht si: diabet tip 2 (nën insulinë), hipertension i avancuar, dislipidemi dhe një goditje në tru e kaluar vetëm gjashtë muaj më parë.
Pavarësisht këtyre kushteve, ai nuk u dërgua në një strukturë spitalore, por u mbajt në kushte paraburgimi të zakonshme. Pra faktikisht, kriminelë me uniformë në burgje, direkt ose indirekt, ndihmuan në vdekjen e tij.
Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, deklaroj se në këtë dramë njerëzore jemi para një vrasjeje shtetërore të radhës në qelitë e zeza, me implikim të qartë, veprim apo mosveprim i narkopersonelit të burgjeve të narkodiktaturës.
Duke dënuar me forcën më të madhe serialin e vdekjeve në qelitë e burgjeve të narkoshtetit të Ramaduros, ju bëj thirrje Komisionit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB, Komisionit Kundër Torturës pranë Këshillit të Europës të ndërmarrin një hetim të gjerë e të thelluar mbi kushtet infernale në burgjet dhe qelitë e komisariateve të narkopolicisë së Shqipërisë, sjelljet shtazore të zyrtarëve me uniformë me të burgosurit dhe të ndaluarit në këto burgje dhe qeli të vdekjes.
Top Channel