
Një tjetër rast i shfrytëzimit të vajzave të huaja për qëllime fitimprurëse, është zbuluar në Durrës.
Operacioni i koduar “Storm 5” çoi në zbardhjen e një skeme të organizuar, që vepronte në lagjen nr. 13 të qytetit.
Pas një hetimi disajavor me metoda proaktive, u arrestuan dy shtetase kineze, të moshave 54 dhe 40 vjeçe, të cilat ushtronin aktivitetin e paligjshëm në dy apartamente të marra me qira pa kontrata. Ato kishin përshtatur ambientet për ushtrimin e prostitucionit, duke i kthyer në pika të mirëfillta shërbimi.
Në pranga përfundoi edhe pronari i apartamenteve, një 39-vjeçar, i cili jo vetëm kishte dhënë banesat pa kontratë, por dyshohet se ka qenë i vetëdijshëm për aktivitetin që zhvillohej aty.
Gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 5 shtetas shqiptarë dhe 2 shtetase kineze të tjera, të përfshirë në këtë veprimtari. Ndërkohë, policia sekuestroi pasaporta, shuma parash, karta banke dhe aparate celularë.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se aktiviteti menaxhohej përmes telefonatave nga një call center, duke ngritur dyshime se rrjeti ka lidhje jashtë territorit shqiptar. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Top Channel