
Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se planet e raportuara të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ri-pushtuar Gazën janë “thellësisht shqetësuese” dhe mund të rrezikojnë jetën e civilëve palestinezë dhe pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenča, u shpreh të mërkurën para Këshillit të Sigurimit se, sipas ligjit ndërkombëtar, “Gaza është dhe duhet të mbetet pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez.”
Jenča përsëriti kërkesën e OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm, si dhe lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve. Ai theksoi se civilët palestinezë në Gaza po përballen me kushte “të mjerueshme” dhe “çnjerëzore”, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë menjëherë kalimin e ndihmave humanitare pa pengesa.
Sipas OKB-së, rreth 90% e popullsisë së Gazës, nga gjithsej 2.1 milionë banorë, është zhvendosur disa herë, dhe aktualisht jetojnë në kushte të mbipopulluara dhe ekstreme. Organizatat humanitare dhe zyrtarët ndërkombëtarë thonë se shumë prej tyre po vuajnë nga uria, dhe akuzojnë Izraelin për pengim të shpërndarjes së ndihmave jetike.
Ministrat e krahut të djathtë në qeverinë izraelite kanë bërë thirrje të hapura për okupim të plotë dhe aneksim të Gazës, si dhe për ndërtimin e vendbanimeve të reja hebraike në territorin palestinez, çka ka rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Top Channel