Serrat me rrush në Patos! Fermerët ndryshojnë prodhimet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore

04/08/2025 12:22

Në fshatin Verbas të Patosit, një fermë e vogël është kthyer prej vitesh në një shembull suksesi për bujqësinë alternative.

Agim Çepele, 71 vjeç, me profesion agronom, ka lënë pas kulturat tradicionale të zonës dhe është fokusuar në një produkt të veçantë, rrushin e tryezës të varietetit “Regalo”. Dikur kultivonte speca, domate dhe kultura të tjera perimore në serra, por kostot e larta dhe mungesa e krahut të punës e detyruan të ndryshonte drejtim.

Kam qenë gjithmonë i lidhur me tokën, me perimet. Por kur filluan vështirësitë, mendova se duhej të përshtatesha. Rrushi i tryezës kërkon më pak punë dhe është më i qëndrueshëm në treg”, shprehet fermeri Agim Çepele.

Prej tetë vitesh, ai ka kthyer 6 dynym serra në vreshta moderne, nga të cilat prodhon çdo vit rreth 35 deri në 40 ton rrush cilësor. Varieteti “Regalo” është i përshtatshëm për klimën e zonës, rezistent dhe me jetëgjatësi të lartë, duke qëndruar i freskët pas vjelies edhe për një muaj. Ndryshe nga shumica e fermerëve të zonës që mbillen bostan, grurë dhe perime, Agimi ka zgjedhur një rrugë më të qëndrueshme ekonomikisht. Rrushi i tij shitet kryesisht në tregjet e mëdha të vendit nga Tirana në Sarandë, ku gjen kërkesë të vazhdueshme dhe çmim të mirë.

Është një rrush që qëndron i freskët deri në një muaj në dyqan pa u prishur. Kërkesa në treg është e qëndrueshme dhe çmimi i kënaqshëm. Deri tani i kemi ndërtuar me forcat tona serrat, por po shqyrtojmë edhe mundësinë për të kërkuar mbështetje nga shteti, me qëllim zgjerimin e sipërfaqeve me vreshta”, shton më tej fermeri.

Në një zonë ku tradicionalisht dominojnë kulturat e perimeve dhe drithërave, eksperienca e Agim Çepeles tregon se përshtatja me kërkesat e tregut dhe ndryshimi i strategjisë mund të sjellin sukses edhe në bujqësi.

Top Channel