
Një ish-efektiv i policisë është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e të hënës në Vaun e Dejës.
Ngjarja ndodhi në fshatin Paçram, ku 65-vjeçari Frrok Lleshaj u gjet i pajetë në rrugën nga policia.
Krimi i rëndë dyshohet për hakmarrje, pasi 65-vjeçari rezulton me precedentë penalë, pasi ishte dënuar për vrasje me dashje.
Nga informacionet e siguruara nga korrespodenti i Top Channel, Klodian Zhivani, ai mësohet se tre dekada më parë ka ushtruar detyrën e efektivit të Policisë së Shtetit, nga radhët e të cilës ka dalë në vitin 1994.
Më pas, ai ka kryer një vrasje për të cilën është arrestuar më 1995, por është arratisur në vitin 1997 nga burgu gjatë trazirave.
65-vjeçari është arrestuar më vonë dhe ka vuajtur dënimin e Gjykatës së Shkodrës të vitit 2006, për vrasjen e kushëririt të tij. Ai është liruar nga burgu në mars të vitit 2023.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
Top Channel