Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë një punonjës policie me detyrë N/Specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masave Plotësuese e Kontrollit të Territorit në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘kryerje e veprimeve arbitrare’.

Më datë 2 korrik, punonjësi është konfliktuar fizikisht me një person gjatë orarit të detyrës në pikën kufitare Bllatë, Dibër.

Njoftimi:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë V. A., me detyrë N/Specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masava Plotësuese e Kontrollit të Territorit në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”.

Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga veprimet e para hetimore, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova e fakte, se punonjësi i policisë me datë 02.07.2025 rreth orës 01.30 në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, Dibër, gjatë kryerjes së detyrës është konfliktuar fizikisht duke kryer dhe veprime arbitrare në dëm të shtetasit F. K., banues në Dibër.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Dibër.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

Top Channel