Skandal korrupsioni në prokurimin e dronëve në Ukrainë, përfshihen deputetë, zyrtarë dhe anëtarë të Gardës Kombëtare

02/08/2025 19:21

Organi mbikëqyrës kundër korrupsionit në Ukrainë njoftoi të shtunën se ka zbuluar një skemë të madhe korrupsioni që përfshin kontrata shtetërore për blerjen e dronëve ushtarakë dhe sistemeve për bllokimin e sinjaleve, me çmime të fryra artificialisht.

Sipas një deklarate zyrtare të publikuar në rrjetet sociale, çështja përfshin një deputet në detyrë, dy zyrtarë vendorë dhe disa anëtarë të Gardës Kombëtare. Emrat e të përfshirëve nuk janë bërë publikë, por raportohet se katër persona janë arrestuar.

“Shtylla e kësaj skeme ishte lidhja e kontratave shtetërore me kompani furnizuese me çmime të fryra qëllimisht,” thuhet në deklaratën e përbashkët të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SAPO). Autorët e kësaj skeme përfitonin komisione deri në 30% të vlerës së secilës kontratë.

Skandali u bë publik vetëm dy ditë pasi parlamenti ukrainas miratoi një ligj që rikthen pavarësinë e plotë të inspektorëve dhe prokurorëve antikorrupsion të Ukrainës, NABU dhe SAPO. Kjo lëvizje u konsiderua thelbësore pas protestave masive të shkaktuara nga një vendim i mëparshëm që i vendoste këto institucione nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm – një veprim që shkaktoi trazirat më të mëdha në vend që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.

Sipas agjencisë Reuters, presidenti Volodymyr Zelensky, i cili gëzon kompetenca të gjera në kohë lufte dhe mbështetje të fortë publike, u detyrua të ndërmerrte një hap të rrallë politik. Vendimi i tij fillestar për të vendosur NABU-n dhe SAPO-n nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm shkaktoi pakënaqësi të gjerë dhe protesta në të gjithë vendin. Përballë zemërimit të qytetarëve, Zelensky deklaroi se kishte “dëgjuar zërin e popullit” dhe vetë e dorëzoi në parlament projektligjin që rivendoste pavarësinë e dy institucioneve, i cili u miratua të enjten.

Vendimi u përshëndet nga partnerët evropianë të Ukrainës, të cilët më herët kishin shprehur shqetësim të thellë për ndikimin e ndërhyrjes së qeverisë në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Zyrtarë të lartë evropianë kishin paralajmëruar se dobësimi i NABU-së dhe SAPO-s mund të dëmtonte seriozisht perspektivat integruese të Ukrainës.

Pas një takimi të shtunën me drejtuesit e dy agjencive antikorrupsion, të cilët e informuan për ecurinë e hetimit, presidenti Zelensky përsëriti angazhimin e tij për luftën kundër korrupsionit. “Është jetike që institucionet antikorrupsion të funksionojnë në mënyrë të pavarur, dhe ligji i miratuar të enjten u jep atyre çdo mundësi për të zhvilluar një betejë të vërtetë kundër korrupsionit,” deklaroi ai.

Top Channel