Plas te Reali i Madridit! Prokuroria kërkon 2.5 vite burg për yllin e “Los Blancos”

02/08/2025 10:45

Raul Asencio, mbrojtësi 22-vjeçar i Real Madridit, është përballë një procesi gjyqësor të rëndë në Spanjë, pas akuzave për shkelje të privatësisë dhe përfshirje në shpërndarje të materialeve me përmbajtje të ndjeshme.

Sipas Cadena SER, Prokuroria publike ka kërkuar një dënim prej 2.5 vitesh burg për Asencion, ndërsa procesi pritet të vijojë në gjykatë.

Asencio është një nga katër ish-lojtarët e akademisë së Real Madridit të akuzuar në një rast që lidhet me marrëdhënie seksuale me dy vajza të mitura (16 dhe 18 vjeç), të cilat, sipas dosjes gjyqësore, janë filmuar pa pëlqimin e tyre nga Ferran Ruiz, Juan Rodriguez dhe Andres Garcia. Më pas, videoja dyshohet se është shpërndarë edhe te persona të tretë.

Ndërsa për Ruizin, Rodriguezin dhe Garcian Prokuroria ka ngritur akuza edhe për shpërndarje të pornografisë së të miturve, për Asencion nuk është përfshirë kjo vepër penale, por ai akuzohet për shkelje të intimitetit, pasi thuhet se ka kërkuar videon për t’ia treguar një miku dhe më pas e ka fshirë menjëherë.

Nga ana tjetër, paditësit kërkojnë një dënim më të ashpër për Asencion – deri në 4 vite burg – dhe kanë përfshirë në akuzat ndaj tij edhe shpërndarjen e materialit pornografik.

Mediat spanjolle raportojnë se mund të ketë pasur një marrëveshje mes Asencios dhe viktimave, por deri tani kjo mbetet e pakonfirmuar. Në deklaratat publike, Asencio ka mohuar çdo fajësi dhe ka këmbëngulur se është i pafajshëm, duke theksuar respektin e tij për privatësinë seksuale të çdo gruaje dhe duke shtuar se ka ndërgjegje të pastër.

Çështja pritet të zgjasë në kohë, teksa palët përgatiten për përballjen gjyqësore. Real Madrid nuk ka dhënë ende asnjë reagim zyrtar për përfshirjen e futbollistit të tyre në këtë çështje.

Top Channel