U qëlluan ndërsa ishin në pritje për ndihma, 69 persona humbin jetën në Gaza gjatë 24 orëve të fundit

31/07/2025 16:56

Të paktën 69 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa prisnin ndihma humanitare, në një kohë kur i dërguari amerikan Steve Witkoff ndodhet në Izrael për të diskutuar një armëpushim të mundshëm.

Sipas raportimeve nga Associated Press, mbrëmjen e së mërkurës, turma të mëdha njerëzish të uritur ishin mbledhur pranë pikës së kalimit Zikim, në kufi me Izraelin, në pritje të kamionëve me ndihma. Por ata u qëlluan me armë zjarri.

Spitali fushor Al-Saraya njoftoi se kishte pranuar mbi 100 të vrarë dhe të plagosur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet.

Tragjedia u përshkallëzua më tej të enjten në mëngjes, kur 19 persona të tjerë që po prisnin ndihma u vranë nga ushtarë izraelitë në pika shpërndarjeje në Gaza qendrore dhe në Rafah, në jug të territorit.

Autoritetet shëndetësore të Gazës thanë se 7 fëmijë humbën jetën nga uria vetëm ditën e mërkurë, duke e çuar totalin e vdekjeve nga kequshqyerja në 154.

Ndërkohë, sipas institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë sigurinë ushqimore, Gaza po përjeton një krizë të thellë urie, ku mungesa e ushqimit po çon drejt një kolapsi social të plotë.

Në mungesë të rendit dhe kontrollit, është bërë e zakonshme që qindra persona të presin ndihmat në mënyrë të dëshpëruar, e shpeshherë ato përfundojnë të plaçkitura sapo mbërrijnë.

 

Top Channel