Gazetari i TCH Marin Mema, është shpallur me votë unanime, të të gjithë përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike, qytetar nderi i Komunës së Deçanit në Kosovë.

“Faleminderit të gjithë juve. Marin je shembull sesi n shqiptarët duhet me punu … se kuptoj vazhdimin. Faleminderit për këtë që je”, tha Bashkim Ramosaj, kryetari i Komunës së Deçanit.

“Është një mirënjohje e thellë ndaj një zëri të së vërtetës, një zëri që ka qenë gjithmonë në shërbim të historisë, kujtesës dhe dinjitetin tonë kombëtar. Marin Mema është bërë tashmë një emblemë e gazetarisë shqiptare, jo vetëm për profesionalizmin dhe guximin e tij, por në fakt shumë edhe për përkushtimin e palëkundur ndaj çështjeve të cilat prekin kombin tonë në tërësi”, u shpreh Petrit Malaj, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë.

Në ceremoninë e rastit nuk munguan përfaqësues të lartë të institucioneve, forcave politike, deputetë, intelektualë, e qytetarë të shumtë.

“Kemi nevojë të ndërtojmë themele të forta për të ndërtuar një të ardhme të fortë. Ndaj ajo që unë dua me shpirt të përçoj përgjatë çdo emisioni është fakti që në vete, të gjithë bashkë, të përpiqemi t’i lëmë meritë, përçarjet, problemet, gjithçka që është përpjekur të na imponohet me kohën dhe ta ndërtojmë një të ardhme bashkë”, tha gazetari i Top Channel, Marin Mema.

Pas Komunës së Gjilanit, Deçani është komuna e dytë në Kosovë që e nderon gazetarin e Top Channel dhe autorin e “Gjurmë Shqiptare” dhe “Shqipëria Tjetër”,  Marin Mema, me titullin qytetar nderi.

Top Channel