
Prej 31 korrikut, bizneset në Kosovë që nuk kanë lidhur kontratë të furnizimit me energji elektrike me operatorët që ofrojnë këto shërbime do të mbesin pa energji elektrike.
Kjo pasi që me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovës, bizneset me mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro duhet të kalojnë në treg të hapur.
Dhoma e Tregtisë në Kosovës dhe bizneset anëtare të saj kanë paralajmëruar se do ndërmarrin masa të ashpra në rast se gjatë ditës së enjte, ZRrE-ja nuk tërhiqet nga zbatimi i vendimit.
“Nuk përjashtohen as protestat, as bllokimi i rrugëve as një gjë tjetër. Gjithçka që lejohet në mënyrë demokratike do ta shfrytëzojmë”, u shpreh Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë së Kosovës.
Janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike dhe tri të tjera që po presin licencimin për të ofruar këtë shërbim, mirëpo oferta është e lartë për bizneset.
“KEK-u ka ofruar si Furnitor i Fundit i energjisë, e kemi KESCO-n, i cili ka ofertuar me çmimin prej 260 euro megavatin, dje ka nisur ofertimin kompania e vllaut të shefit të kabinetit të Kryeministrit, i cili e ka marrë licencën nga ZRrE-ja, vlera nëse nuk gaboj është 230 euro megavati”, tha Ahmeti.
Rreziku kryesor që iu paraqitet bizneseve sipas Dhomës së Tregtisë është mbyllja për shkak të rëndesës financiare që do të kenë, por edhe ndërprerjes së energjisë elektrike.
“Një vendim i tillë rrezikon qëndrueshmërinë e tyre, rrezikon ruajtjen e vendeve të punës në biznese, mirëqenien e familjeve të tyre, rrezikon bizneset të funksionojnë, shumë prej tyre janë duke i shikuar mundësitë edhe të largimit nga Kosova, shumë prej tyre janë duke shikuar mundësitë të ri rregullojnë numrin e të punësuarve”, u shpreh drejtori i Dhomës së Tregtisë së Kosovës.
Nga 1 qershor e deri më 30 korrik, bizneset furnizohen me energji elektrike nga Koorporata Energjetike e Kosovës, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, porse në një njoftim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë kjo nuk do të vlejë ligjërisht prej datës 31 korrik.
ZRrE iu ka bërë thirrje bizneseve të lidhin marrëveshje komerciale me ofertuesit e licencuar, pasi “mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerjen automatike të furnizimit me energji elektrike”.
Bizneset kanë protestuar në qershor kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike duke kërkuar që ky vendim të hyjë në fuqi gradualisht.
Top Channel