
Njoftimi për njohjen me kushte i Shtetit të Palestinës nga Britania, përbën ndoshta ndryshimin më të madh të qëndrimit diplomatik nga Londra në Lindjen e Mesme, aq më tepër në një zonë ku ata kanë qenë sundues në fillimet dhe mesin e shekullit të kaluar, e influencës të rëndësishëm prej atëherë e deri me sot, për atë që ka ndodhur në atë pjesë të botës.
Shtatori, ashtu si edhe Francezet, është për britanikët, afati përfundimtar i njohjes zyrtare në rast se kushtet e vëna nga Londra për Izraelin dhe Hamasin, nuk plotësohen. Kushtet duken te parealizueshme, dhe paçin fat britanikët, më shume sesa francezët në shpresën për përmbushjen e tyre nga të dyja palët.
Andaj, gjasat për njohjen zyrtare në shtator janë shumë të mëdha, edhe pse kryeministri britanik Sir Keir Starmer, nuk shpreson se ndryshimi sizmik i qëndrimit diplomatik britanik do prodhoj së shpejti ndonjë shtet të pavarur palestinez. Kjo pavarësisht nga një aprovim i heshtur dhe i nënkuptuar apo edhe diplomatik, nga presidenti amerikan Trump gjatë qëndrimit në Skoci, i cili është pas çdo lëvizje Izraelite dhe mbështet çdo qëndrim të Tel Avivit në raportet dhe situatën në Gaza, dhe me gjerë. Fakt është, se pa mbështetjen e Uashingtonit, vështirë se gjestet diplomatike të vendeve të tjera të fuqishme evropiane e më gjerë, zor se materializohen.
Dukshëm lëvizja më e fundit diplomatike britanike, e cila vështirë se do i kënaq të gjithë faktorët e brendshëm politike në Britani, synon sipas burimeve diplomatike që të fuqizoj dhe shkund moderatorët, ende te dobët dhe jo influencues, në të dyja anët e konfliktit, si izraelitët dhe palestinezët, për qasje më realiste, kur ekstremistët, si në radhët e qeverisë aktuale izraelite ashtu dhe militantët e Hamasit, kanë prodhuar shkatërrim, vuajtje e humbje kolosale jetësh njerëzore, sidomos në anën palestineze.
Ndryshimi i madh në Politiken e Jashtme britanike për krizën në atë pjesë të Lindjes së Mesme, ku që prej viteve 1990-a, çdo përpjekje për paqen ka dështuar, synon të hap një dritare shprese për paqen, faktikisht e mbyllur hermetikisht, por kësaj radhë britanikët po përdorin një levë hekuri për hapjen e kësaj dritare, e cila nga jashtë duket siç do dritare xhami, por nga brenda është e mbyllur me hekura dhe murr guri.
Top Channel