Cunami pas tërmetit me magnitudë 8.8 ballë, si kanë lëvizur pllakat tektonike që sollën fryrjen e Oqeanit

30/07/2025 14:21

Valët e para të shkaktuara nga një tërmet masiv me magnitudë 8.8 pranë brigjeve të Rusisë kanë arritur tashmë në brigjet e shteteve amerikane Hawaii dhe Kaliforni.

Tërmeti, i cili goditi pranë Gadishullit të Kamçatkës në Rusi rreth orës 11:25 të mëngjesit me orën lokale (23:25 GMT) të mërkurën, është një nga më të fuqishmit të regjistruar ndonjëherë.

Por si është krijuar cunami, sipas Shërbimi Gjeologjik Britanik?

Pllaka që mund të jetë “zhdukur” ka qenë në qendër të një lëvizje  të fuqishme nëntokësore.

Pavarësisht se Gadishulli i Kamçatkës është një zonë e largët, nëntoka e tij është shumë aktive.

Duhet kujtuar se sipërfaqja e Tokës është e ndarë në pjesë të mëdha të quajtura pllaka tektonike. Pranë këtij gadishulli, pllaka e Paqësorit po lëviz drejt veriperëndimit dhe po përplaset me një pllakë më të vogël të quajtur mikropllakë e Ohotskut (Okhotsk).

Pllaka e Paqësorit është oqeanike, që do të thotë se përbëhet nga shkëmbinj të dendur dhe tenton të zhytet nën mikropllakën tjetër.

Gjatë këtij procesi të zhytjes drejt qendrës së Tokës, pllaka e Paqësorit nxehet dhe fillon të shkrihet – në thelb, ajo “zhduket”.

Por ky proces nuk është gjithmonë i qetë – shpesh pllakat mbeten të ngërthyera ndërsa rrëshqasin pranë njëra-tjetrës, duke tërhequr poshtë mikropllakën sipër. Ky fërkim krijon tension që, kur çlirohet papritur, shkakton një lëvizje të fortë të pllakave.

Kjo lëvizje e papritur quhet tërmet megathrust – një nga format më të fuqishme të tërmeteve në planet.

Tërmetet më të mëdha në histori – si ato në Kili, Alaskë dhe Sumatra (i cili shkaktoi cunamin e vitit 2004) – kanë qenë tërmete megathrust.

Ky proces zhytjeje dhe lëvizjeje e menjëhershme ngre shtresën e oqeanit sipër saj, duke zhvendosur një sasi të madhe uji. Kjo “fryrje” e oqeanit pastaj përhapet në të gjitha drejtimet – dhe ky është fillimi i një cunami.

Top Channel